Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se ka parashtruar kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme, pra për votat me postë, në Gjykatën Kushtetuese.
Supremja e kishte kthyer ankesën e VV-së si të pabazuar në lidhje me votat me postë.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! sot ka parashtruar kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme në Gjykatë Kushtetuese së bashku edhe me kërkesën për masë të përkohshme ndaj një vendimi absurd dhe të ndikuar politikisht të Supremes.” – thuhet në njoftimin e tyre.
Nga VV-ja gjithashtu kanë thënë se vetëm një vendim i drejtë i Gjykatës Kushtetuese do të ishte siguresë e ndalimit të deformimit.
“Konsiderojmë se është detyrë e të gjithëve dhe veçanërisht e inistutcioneve të thirrura që të ruajnë vullnetin e shprehur të qytetarëve në procesin zgjedhor, vullnet nga i cili buron legjitimiteti i secilit institucion të Republikës. Kësisoj, vetëm një vendim i drejtë i Gjykatës Kushtetuese do të ishte siguresë e ndalimit të deformimi të tillë. “
“Në këto rrethana vendimi në kohë sa më të hershme në lidhje me kërkesën për masë të përkohshme do të ishte mundësi e vetme e parandalimit të tjetërsimit dhe deformimit të vullnetit të shprehur të qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.” – thuhet në njoftim.