Vetëvendosje s’tregon kë do ta propozojë për kryeparlamentar

Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se shumë shpejt do ta caktojë seancën për konstituimin e Kuvendit. Në këtë seancë, përveç betimit të deputetëve, bëhet edhe zgjedhja e kryeparlamentarit. Propozimi i kandidatit për kryetar të Kuvendit i takon Lëvizjes Vetëvendosje, por në këtë parti nuk kanë treguar nëse është vendosur për emrin dhe nëse i kanë votat për ta zgjedhur.

Seanca për konstituimin e Kuvendit do të thirret së shpejti, ka paralajmëruar të premten presidentja Vjosa Osmani.

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, presidentja Osmani e ka në diskrecion që këtë seancë ta thërrasë brenda një afati kohor prej 30 ditësh.

Ajo ka thënë se do të respektohen afatet kushtetuese dhe se seanca do të thirret brenda kornizës kohore të përcaktuar.

“Për momentin, ekipi im ligjor është duke analizuar se sa mund të ketë nevojë për kohë për përgatitje të kësaj seance, në mënyrë që kur të thirret seanca edhe të jetë e suksesshme. Pra, të jetë i suksesshëm konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Gjithçka do të bëhet brenda afatit kushtetues. Për momentin nuk mund t’jua jap një datë, se dua të jem e saktë, mirëpo shumë shpejt do ta kemi edhe datën, shumë shpejt”, ka theksuar Osmani gjatë një adresimi për gazetarë.

Afati njëmujor për mbajtjen e seancës ka nisur të rrjedhë të enjten, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka bërë certifikimin e rezultatit.

Në rast se presidentja nuk e thërret këtë seancë, Kuvendi mund të mblidhet vetë.

Agjendën e seancës konstituive të Kuvendit e përbëjnë katër pika: formimi i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve, betimi i deputetëve, zgjedhja e kryeparlamentarit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Mirëpo, seanca mund të zvarritet pa afat, në rast se pas betimit të deputetëve partia që e ka shumicën në Kuvend nuk e propozon kandidatin për kryeparlamentar.

Rregullorja e Kuvendit thekson se ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë, por seancën konstituive e konsideron të mbyllur vetëm pasi që të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët.

Në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) nuk kanë treguar nëse organet e partisë kanë vendosur për emrin e kryeparlamentarit, e as nëse llogarisin në votat e partive, që për katër vjet kanë qenë në opozitë.

Por në Partinë Demokratike (PDK), subjekt ky i ranguar i dyti në zgjedhje, kanë thënë se nuk presin të ketë bllokadë në zgjedhjen e kryeparlamentarit.

“Nuk besoj që duhet të ketë pengesë në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Unë pres që të këtë reflektim prej të gjitha partive, propozimin dihet kush e bën, kujt i takon e drejta dhe të ketë vota të mjaftueshme që të konstituohet Kuvendi”, ka thënë të premten kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza.

Në Lidhjen Demokratike (LDK), në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe në Nismën Socialdemokrate nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS nëse do të votojnë pro zgjedhjes së kryeparlamentarit të propozuar nga Vetëvendosje.

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit bëhet me shumicë votash, përkatësisht me votën e së paku 61 deputetëve.