Vetëvendosje pa qëndrim për kandidaturën e Osmanit

Deputetë të zgjedhur të Lëvizjes Vetëvendosje kanë refuzuar të flasin për mbështetjen e mundshme ndaj Vjosa Osmanit, për mandatin e ri si presidente. Megjithëkëtë, e kanë quajtur legjitim përcaktimin e saj për ta udhëhequr shtetin edhe në pesë vjetët e ardhshëm.

Eksponentë të partisë që ka marrë më shumë se gjysmën e votave në zgjedhjet parlamentare të parakohshme nuk kanë deklaruar nëse do t’i ofrohet mbështetje Vjosa Osmanit për mandat të dytë si presidente.

Artan Abrashi, i cili si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ka siguruar votat për deputet, ka kundërshtuar edhe kërkesën për zgjedhjen e presidentit konsensual të parashtruar nga kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku. Ndërkaq ka arsyetuar edhe deklaratat e Osmanit për mandatin e ri.

“Sa i përket çështjes së neutralitetit kemi këndvështrime të ndryshme rreth kësaj”, ka thënë ai në një intervistë për Kosovapress. “Është legjitime që ata që pretendojnë pozitën e presidentit të fillojnë një fushatë për të marrë një mbështetje nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, pasi të njëjtit e votojnë dhe zgjedhin presidentin e Kosovës. Nuk ka diçka të keqe këtu edhe nëse zonja Osmani angazhohet në këtë drejtim”.

Abrashi, duke folur për mbështetjen ose jo të kandidaturës së Osmanit për presidente, ka thënë se LVV-ja mbetet e hapur për të gjitha opsionet.

Sipas tij, prioritet aktual është konstituimi i Kuvendit, formimi i qeverisë së re dhe votimi i buxhetit për vitin 2026.

“Mbeten opsionet e hapura. Natyrisht çështja e kandidaturës së zonjës Osmani do të trajtohet, por pa u mbledhur forumet tona vendimmarrëse nuk është se mund ta them një qëndrim zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket çështjes së presidentit. Për neve është e rëndësishme ta kryejmë këtë rend të gjërave që theksova dhe pastaj, kur të vijë puna te propozimi i emrit të presidentit, do të jemi të gjithë në njohuri”, ka thënë Abrashi.
Edhe Adnan Rrustemi, që ka siguruar votat për deputet, ka refuzuar të flasë për mbështetjen e mundshme të kandidaturës së Osmanit.

Tek ka folur në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme në pranverë.

Rrustemi ka thënë se e gjitha do të varet nga opozita se si e lexon rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

“Nëse qasja do të jetë e njëjtë si e vitit të kaluar, atëherë do të jetë problem”, ka thënë ai. “Varet shumë se çfarë sjellje do të kemi nga opozita. Nëse kemi replikim të vitit 2025, atëherë do të kemi vështirësi, pasi që nuk i kemi 80 vota. Por, besoj dhe uroj që opozita të ketë sjellje tjetër gjatë këtij viti dhe ta luajë rolin opozitar në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve, në përputhje me mjetet kushtetuese që ekzistojnë në Kosovë”.

Mandati i presidentes Osmani përfundon më 4 prill. Për t’u zhvilluar procesi, në dy raundet e para të zgjedhjes kërkohet kuorumi prej 80 deputetësh që duhet të qëndrojnë në sallë.

Një ditë më parë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk do ta përkrahë asnjë kandidat për president pa marrëveshje politike.

Abdixhiku, në një përgjigje për KOHËN, ka theksuar se emrat e përveçëm për këtë post nuk duhet t’iu imponohen deputetëve dhe se për votimin e udhëheqësit të shtetit konsensusi është i domosdoshëm.

“Kandidimet unilaterale të partive nuk sjellin konsensus. Pa marrëveshje politike ndërmjet subjekteve parlamentare, imponimi i emrave të përveçëm nuk sjell asnjë rezultat tjetër përveç krizës institucionale. Zgjedhja e presidentit nuk mund të bëhet me logjikë force, por vetëm me logjikë konsensusi. Në këtë fazë Kosova nuk e ka luksin të hyjë në krizë për asnjë emër të veçantë. Vendit i duhen stabilitet institucional, funksionim normal i institucioneve dhe qetësi politike për t’u përballur me sfidat e brendshme dhe të jashtme”, ka thënë Abdixhiku.

Bazuar në numërimin e votave, Vetëvendosja ka 57 deputetë dhe me ligjvënësit e komuniteteve, pa përfshirë ata të Listës Serbe, mund ta bëjë shumicën parlamentare prej 68 deputetësh.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

Nëse në tri raunde të votimit, asnjëri nga kandidatët nuk merr votat e nevojshme, atëherë shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, mundësi që nuk e ka përjashtuar kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.