Vetëvendosje kap tregun energjetik, zyrtari i partisë licencohet për shitje të rrymës

Njerëzit e Lëvizjes Vetëvendosje do ta flasin fjalën e fundit në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike.

Të premten, edhe një biznes i lidhur ngushtë me partinë në pushtet është licencuar për tregti me energji elektrike nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

“Energy for Change L.L.C”, në pronësi të Erzen Krasniqit, udhëheqësit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Dragash, sipas të dhënave në uebsajtin zyrtar të Vetëvendosjes, është shpërblyer sot me licencë për furnizim dhe tregti me energji elektrike, raporton Paparaci.

Vendimi është marrë në një mbledhje të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), në të cilën janë miratuar licencat e aktivitetit të furnizimit me energji elektrike edhe për dy kompani të tjera: “Norwegian PX Kosovë SH.P.K.” dhe “BE Power SH.P.K.”.

Anëtari i Bordit të ZRrE-së, Ymeridin Misini, tha se kompanitë kanë përmbushur të gjitha kërkesat ligjore.

“Dokumentet i kanë plotësuar në përputhje me kërkesat, po ashtu edhe dëshmitë. Konsideroj se aplikacioni është vlerësuar sipas rregullave dhe në përputhje me legjislacionin për një periudhë 5-vjeçare, si licencat tjera,” tha Misini.

Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike, i cili hyri në fuqi nga 1 gushti, do t’i mundësojë kompanive të licencuara për aktivitetet e furnizimit me rrymë që të përcaktojnë çmimet në treg.

Këtë leje e mori sot edhe kompania “Energy for Change L.L.C.”, në pronësi të Erzen Krasniqit, ish-aktivist dhe zyrtarit të Vetëvendosjes.

Erzen Krasniqi është që moti aktivist i Vetëvendosjes. Në zgjedhjet e vitit 2017, ai ishte pjesë e listës për deputet. Që nga viti 2022, Krasniqi ushtron funksion zyrtar në Vetëvendosje. Ai është udhëheqës i Qendrës së LVV-së në Dragash, sipas të dhënave zyrtare në faqen e Vetëvendosjes në internet.

Erzen Krasniqi dhe Fitore Pacolli në fushatë zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje

Në prill të vitit 2025, ai regjistroi kompaninë për tregti me energji elektrike të emërtuar “Energy for Change”, në të cilën zotëron 100% të aksioneve, bazuar në të dhënat publike pranë Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve (ARBK).

Periudha e regjistrimit të biznesit nga Krasniqi korrespodon me mbylljen e afatit që bizneset me më pak se 50 punëtorë ose nën 10 milionë euro qarkullim në vit të dëshmojnë në KESCO për të vazhduar me tarifat e rregulluara të energjisë elektrike. Kompanitë që nuk e dëshmonin këtë, do të bëheshin gati të dilnin në treg të liberalizuar të energjisë.

Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë ka hyrë në fuqi më 1 qershor.

Sipas vendimit, të gjitha kompanitë që kanë më shumë se 50 punëtorë, ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit, janë detyruar të kalojnë në tregun e hapur të energjisë.

Për të mos mbetur pa energji, bizneset janë furnizuar përkohësisht – në periudhën 1 qershor deri më 31 korrik – nga Korporata Energjetike e Kosovës, në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit.

Aktualisht, në Kosovë janë të licencuara 22 kompani për tregtim me energji, ndërsa tre të tjera, përfshirë kompaninë e Krasniqit, ishin në proces të licencimit.

Në korrik të vitit të kaluar, në listën e kompanive të licencuara nga ZRRE-ja për furnizim me energji elektrike hyri edhe kompania “Management & Development Associates L.L.C.”, e themeluar nga Luan Dalipi, shefi i kabinetit të kryeministrit Albin Kurti.

Kompania, sot drejtohet nga Driton Dalipi, vëllai i Luanit.