Vetëvendosje investoi 7250 euro te strategu i Shtëpisë së Bardhë, Arun Chaudhary, për zgjedhjet qendrore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet financiare të paauditura të partive politike për vitin 2025, shkruan Demokracia.com.

Në raportin financiar të Lëvizjes Vetëvendosje për vitin 2025, të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, figuron një pagesë e veçantë që ngre pyetje për përdorimin e fondeve të partisë. Më 2 shtator 2025, Vetëvendosje ka bërë pagesë në vlerë 7,250 euro për “Hapësirat e Përfaqësimit – Arun Chaudhary”, me adresë në 2415 Robinhood, Houston, Texas, SHBA.

Arun Chaudhary është një emër i njohur në komunikimin politik amerikan. Ai ka shërbyer si videografi zyrtar i Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës së Barack Obamës, dhe më pas si këshilltar mediatik në fushata të ndryshme politike në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.

Në raportin financiar të Vetëvendosjes, pagesa ndaj tij figuron në kategorinë “Hapësira të Përfaqësimit”, pa specifikuar natyrën e shërbimit të ofruar. Kjo e bën të paqartë nëse bëhet fjalë për konsulencë strategjike në fushata, prodhim materialesh promovuese, apo trajnime të stafit mediatik të partisë.

Në të njëjtin raport, Vetëvendosje ka shpenzuar mbi 1.1 milion euro për reklama, reprezentacion dhe konferenca, duke përfshirë pagesa për media vendore si “Koha”, “My Print”, “Moviola”, “Agron Suhogerllaj B.I” dhe kompani të tjera që kanë ofruar shërbime marketingu dhe informimi.

Pagesa për Arun Chaudhary, megjithëse më e vogël në vlerë, ngre çështje simbolike e politike, si ka përfunduar partia që propagandon “pavarësi kombëtare” dhe “vetëmbështetje” të paguajë një strateg amerikan të imazhit politik për shërbime të paqarta?

Ndërkohë, ndërsa VV shpesh bën thirrje për vetëmbështetje dhe “mosu-besim ndaj influencave të jashtme”, duket se strategu amerikan ka marrë 7,250 euro për të kujdesur për imazhin e partisë. Siç duket, disa mesazhe dërgohen më mirë në dollarë sesa në fjalë. /Demokracia.com/