Vetëvendosje gjobitet me 2 mijë euro

Lëvizja Vetëvendosje vendosi që hapjen e fushatës zgjedhore ta bëjë mbrëmë në Prishtinë, saktësisht në parkingun e njohur tek stadiumi ‘’Fadil Vokrri’’.

Anipse u munduan që të krijojnë një formë tjetër të mbledhjes së qytetarëve, ku shumë prej tyre erdhën me vetura, përsëri nuk kanë shpëtuar pa u gjobitur.

Drejtoria e Inspeksionit në Prishtinë ka bërë të ditur se shkelja e vendimit nr 09/58 i Qeverisë së Kosovës i nxjerrë me datën 14 janar 2021, pika 24 dhe 25 si dhe të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë është bërë mbrëmë nga VV dhe kësisoj të njëjtit janë gjobitur me 2 mijë euro.

“Askush mbi ligjin!Shkelje e vendimit nr. 09/58 të Qeverisë së Kosovës (dt.14.01.2021), pikat 24 dhe 25, si dhe Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemise.2000 euro gjobë, sipas nenit 25.1 të ligjit në fjalë!”, shkroi Tahiri.

Mbrëmë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Vjosa Osmani hapën fushatën zgjedhore në Prishtinë, duke thënë se 14 shkurti është referendum për të ardhmen.