Analisti politik, Bekim Kabashi, ka kritikuar ashpër gjuhën e përdorur nga anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, ndaj mediave, duke thënë se kjo nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një deklarimi që është normalizuar nga kjo parti që nga ardhja në pushtet.
“Sami Kurteshi nuk është i pari rast i izoluar në LVV, sepse Vetëvendosja një gjuhë diskredituese ndaj mediave e ka përdorur prej se ka ardhur në pushtet, pra tashmë problemi është që ka filluar të normalizohet një gjuhë e tillë. Nuk është hera e parë që Kurteshi sillet kështu ndaj mediave, jo vetëm kohën e fundit, ai ka problem me vetveten, gazetarja nuk e provokuar fare, thjesht i ka bërë pyetje, ai ka hatër mbetje me vetveten sesi sjellë herën e kaluar me gazetarë dhe si ka dalë në opinion publik, tash mundohet me gjet fajin te mediat sikur ato e nxisin e shtyjnë për me pas një sjellje të tillë”, ka deklaruar Kabashi në Debat Plus.
Sipas tij, duke pasur parasysh të kaluarën e Kurteshit si ish-avokat i popullit, ai duhet të ishte më i kujdesshëm sesa politikanët e tjerë.
Kabashi gjithashtu kritikoi Vetëvendosjen, duke thënë se distancimi nga deklaratat e tij nuk mjafton dhe se partia duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të trajtuar këtë sjellje.
“Problemi është që një është normalizuar gjuha e tij, ai kur del dhe kërcënon mediat, dhe fyen duket pak a shumë si sjellje normale e tij. Ai është një personalitet i rëndësishëm i institucioneve të Kosovës, ai ka qenë ish-avokat i popullit, duke pasur parasysh të kaluarën e tij duhet me qenë shumë më i kujdesshëm sesa politikanët tjerë. Mendoj se LVV-ja gabon, nuk është vetëm te distancimi, por duhet të merren me të sepse ka një kronologji të sjelljes së tillë. Nuk e di çka mundemi me prit nesër prej, mundet edhe me i sulmu fizikisht”, ka deklaruar ai.