Veteranët e UÇK-së dhe anëtarët e PSD-së shkojnë tek vendi ku po qëndron Kryetarja e Speciales

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, dje ka nisur vizitën në Kosovë.

Ndërsa gjatë ditës së sotme ajo po mbanë një konferencë për media, në një prej hoteleve luksoze në Prishtinë. Për herë të fundit, Trendafilova qëndroi në vendin tonë në tetor të vitit të kaluar.

Por për vizitën e saj në Kosovë, ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke thënë se kjo vizitë është provokim i qëllimshëm dhe fyerje ndaj luftës së tyre çlirimtare.

E nga OVL-UÇK paralajmëruan se do të mbajnë konferencë për media në ora 12:00, por kjo gjë ndryshoi.

“Në një kohë kur zërat kundër vlerave të luftës po shtohen, ju ftojmë të mos u jepet hapësirë interpretuesve të historisë sonë, por të jeni aty ku thuhet e vërteta, aty ku flasin përfaqësuesit legjitimë të asaj që kemi kaluar si popull”, shkruhet në njoftimin për media të OVL – UÇK-së.

Veteranët përfaqësues të OVL-UÇK si dhe përfaqësues të PSD-së janë afruar tek vendi ku po qëndron Tredanfilova .

Nuk dihet nëse të njëjtit do të mund të kenë një ballafaqim të drejtpërdrejtë me kryetaren e Speciales- apo nga OVL-UÇK do të ketë një konferencë për media në lidhje me këto zhvillime.