‘’Veteranët’’ e Kuvendit thonë se asnjëherë më parë s’ka pasur bllokim kaq të gjatë të legjislativit

Që nga 15 prilli i këtij viti e deri më sot, Kuvendi i Kosovës ka dështuar 23 herë radhazi të konstituohet, përkundër përpjekjeve të rregullta për ta mbajtur seancën çdo 48 orë, ashtu siç e parasheh procedura për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Ky bllokim i zgjatur po ndodh për herë të parë në historinë parlamentare të Kosovës, duke shënuar një precedent të ri të krizës politike dhe funksionale brenda sistemit demokratik të vendit.

Edhe pse ngërçe politike janë shënuar edhe në të kaluarën, përfshirë periudha paszgjedhore me negociata të gjata dhe mosmarrëveshje ndërmjet partive, asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që Kuvendi të mos arrijë të konstituohet për një periudhë kaq të gjatë.

Deputetë me përvojë shumëvjeçare në legjislatura të ndryshme, si dhe ish-deputetë të përfshirë në procese të mëparshme të themelimit të Kuvendit, thonë se kjo s’ka ndodhur kurrë më parë.

Gashi: Asnjëherë s’ka ndodhur kështu me moskonstituimin e Kuvendit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës për shumë mandate, Arben Gashi, ka folur për FrontOnline rreth ngërçit që ka përfshirë Kuvendin e Kosovës, e i cili ka dështuar të konstituohet për 23 herë me radhë që nga 15 prilli.

Gashi e ka cilësuar këtë situatë si të paprecedent në historinë parlamentare të vendit.

“Asnjëherë s’ka ndodhur kështu. Ka ndodhur me u bllokuar Kuvendi gati një vit, por seanca konstituive kaq të shpeshta s’ka pasur asnjëherë,” ka deklaruar ai për FrontOnline.

Sipas Gashit, problemi rrënjësor është mungesa e një shumice qeverisëse funksionale, e cila do të mundësonte përmbylljen e procesit të konstituimit dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

“Mungesa e një shumice qeverisëse po e bën këtë,” u shpreh Gashi,

Haliti për krizën politike: Mbetja në opozitë nuk është tragjedi

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës për disa mandate, Xhavit Haliti, për FrontOnline ka komentuar situatën e zgjatur të bllokimit të konstituimit të Kuvendit, duke e cilësuar krizën aktuale si një betejë legjitime për pushtet ndërmjet pozitës dhe opozitës, por që, sipas tij, duhet të zhvillohet përmes politikës dhe jo përmes përplasjeve publike.

“Beteja politike e të dyja palëve është legjitime, është betejë për pushtet, që secila palë përpiqet ta marrë. E kam parasysh që disa thonë ‘ne luftojmë për shtet e jo për pushtet’, sepse tingëllon më bukur, por pushteti gjithmonë e kontrollon shtetin. Shteti është organizatë që disponon me të gjitha forcat dhe mbron interesat e të gjithë qytetarëve pa përjashtim,” ka deklaruar Haliti.

Duke folur për funksionimin e institucioneve në një demokraci të konsoliduar, ai ka kritikuar mënyrën se si ende në Kosovë përdoret koncepti “në emër të popullit”, duke e krahasuar me terminologjinë e kohës së komunizmit. Ai theksoi nevojën që betejat politike të kalojnë nga debatet mediatike dhe konfliktet verbale në veprim politik konkret.

“Pushteti i Kurtit gjatë mandatit të kaluar ka bërë skandale që në kushte normale nuk do të toleroheshin. Opozita nuk ka qenë aktive në terren, përveçse në media dhe pjesërisht në Kuvend, dhe mungesa e aksionit politik ka bërë që të zgjidhet një rrugë e lehtë dhe pa përplasje. Kjo solli pasoja edhe në rezultatin e zgjedhjeve,” shtoi ai për FrontOnline.

Haliti vlerëson se tashmë është momenti që lidershipi i partive të marrë përgjegjësinë dhe të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme për krizën.

 “Beteja nuk është për kryetarin e Kuvendit. Afatizimi i kësaj beteje do të ishte më i mençur sesa të vazhdohet me një ‘Vatikanizim’ të papatit të Parlamentit të Kosovës. Dikush duhet të bëjë 61 vota, sepse vetëm kështu, sipas Kushtetutës, zgjidhen kryetari i Kuvendit dhe Qeveria.” potencoi ai.

Sipas tij, pavarësisht ngërçit aktual, një zgjidhje është në horizont, pasi asnjëra palë nuk është deklaruar për zgjedhje të jashtëzakonshme  një proces që do të ishte i kushtueshëm për të gjithë  kandidatët, partitë dhe vetë Republikën.

“Mesazhet e popullit dhe të ndërkombëtarëve janë të qarta: krijoni institucionet. Mbetja në opozitë nuk është tragjedi, por një mundësi për të akumuluar energji për fitore të ardhshme.” përfundoi ai.

Gaxherri: Asnjëherë më parë Kuvendi nuk ka përjetuar një krizë të tillë

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës për disa mandate, Besa Gaxherri, për FrontOnline ka folur për ngërçin politik që po e mban peng konstituimin e Kuvendit për herë të 23-të me radhë.

Ajo ka theksuar se situata e tanishme është pa precedent në historinë parlamentare të Kosovës.

“Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Kuvendit të Kosovës. Ka pasur procese të njëjta, por jo 23 herë të jetë kandidati i njëjtë, nga subjekti i njëjtë dhe të tentohet me u votu,” deklaroi Gaxherri për FrontOnline.

Ajo e cilësoi këtë qasje si një “risi të rrezikshme” për politikën kosovare, që, sipas saj, po udhëhiqet nga synimi i Vetëvendosjes për të shtrirë dominimin në të gjitha pushtetet.

“Kjo është risi për politikën në Kosovë e cila fatkeqsisht, VV po mundohet ta shtrijë domimin si në drejtësi, si në politikë, media dhe çka do ai duhet të merr, por kjo është e papranueshme,” u shpreh ajo.