Vështirësi në qarkullim në disa rrugë për shkak të vërshimeve, policia u bën thirrje shoferëve për kujdes të shtuar

Policia e Kosovës ka njoftuar se në disa zona janë evidentuar vështirësi në qarkullim për shkak të vërshimeve,

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar.

“Si pasojë e reshjeve të shiut, në disa zona të vendit nëpër rrugë të ndryshme janë evidentuar vështirësi në qarkullim, përfshirë dëmtime të rrugëve, rrëshqitje dheu e dëmtime në ura të caktuara. Policia e Kosovës po monitoron vazhdimisht situatën dhe ka rritur praninë policore në terren.

U bëjmë thirrje të gjithë shoferëve që të tregojnë kujdes dhe vigjilencë të shtuar, të respektojnë rregullat e trafikut dhe ta përshtatin vozitjen me kushtet aktuale të rrugës dhe dukshmërinë e reduktuar, në mënyrë që të shmangin aksidentet e mundshme.

Siguria fillon nga ju. Kur kushtet në rrugë ndryshojnë, kujdesi duhet të rritet.”