Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka vizituar disa fermerë në fshatin Kijevë, ku ka diskutuar me ta për sfidat që po përballen me mbjelljet pranverore në këtë kohë pandemie.
Kreu i PDK-së i siguroi fermerët se pakoja për rimëkëmbjen ekonomike prej 320 milionë euro që e ka propozuar PDK është në procedura parlamentare dhe do të bëjnë të gjitha përpjekjet që ajo të miratohet sa më parë, në mënyrë që të ndihmohen 280 mijë punëtorë të sektorit privat dhe dhjetëra mijëra biznese që kanë pësuar nga pandemia covid-19.
“Pakon e rimëkëmbjes ekonomike do ta kalojmë, presim që shumë shpejt ta kalojmë në procedura ta rregullta. Ditën e marte nuk mund ta kalonim përmes seancës së jashtëzakonshme. Duhet t’i gjendemi afër këtyre njerëzve të cilët po punojnë edhe në kohë të pandemisë, të cilët po e krijojnë bukën e Kosovës. Duhet ta përmendi faktin se duke iu falënderuar fermerëve tanë dhe mullinjve tanë ne kemi pasur rezerva ushqimore edhe kur nuk kemi qenë në krizë. Këta janë ata që e mbajnë Kosovën me bukë, këta janë ata që e mbajnë Kosovën me produkte organike. Dhe ne e kemi për obligim si institucione të Republikës së Kosovës, dhe të ndihmojmë ata për faktin se këta kanë nevojë të ndihmohen me shumë. Këta kanë nevojë të ndihmohen për arsyeje se jetojnë me djersën e vet”, tha Veseli.
Veseli shtoi se sot ka ardhur në Kijevë që të shoh punën e fermerëve, mbjelljen pranverore, për çka tha se këta të fundit kanë gatishmëri por që duan përkrahje nga dora e shtetit.
Ndërsa, Besim Morina, fermer në Kijevë, theksoi se në këtë kohë pandemie nuk kanë pasur përkrahje nga shteti.
“Ne duam përkrahje më shumë prej shtetit, me na ndihmuar, mos me na lënë krejtve anëve qysh na kanë lënë deri tani”, theksoi Morina.