Veseli: Të bëhen sa më shumë teste, që të shkurtojmë kohën e karantinës e të rivëmë në lëvizje ekonominë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kasri Veseli, u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të kryejnë sa më shumë teste, në mënyrë që të identifikohen dhe trajtohen të gjithë personat e infektuar me koronavirus.

Ai ka thënë se periudha e izolimit nuk ka kuptim nëse nuk shoqërohet nga teste masive për të gjetur sa më shumë raste e për t’i trajtuar.

Veseli ka shkruar në faqen e tij në Facebook se çdo vonesë e mëtejshme me testimet do të na kushtojë shumë shtrenjtë, jo vetëm në jetë njerëzish, por edhe në dëm të pallogaritshëm ekonomik.

”Sot vizitova fabrikën “Elkos” në Pejë ku bisedova problemet aktuale të ekonomisë e bisedova për pakon e shpëtimit dhe rimëkëmbjes ekonomike që ka propozuar PDK-ja. Jam i gëzuar që kjo kompani vazhdon të prodhojë ndërkohë që punonjësit janë duke zbatuar maksimalisht masat mbrojtëse. Mirëpo duhet që sa më parë edhe kompanitë e tjera private të kenë mundësi të rikthehen në punë në mënyrë që ekonomia jonë të vihet sërish në lëvizje. Prandaj ne kemi nevojë urgjente për një fushatë gjithëpërfshirëse testimesh që të identifikojmë sa më shpejt ata që janë të infektuar, në mënyrë që t’i izolojmë të kujdesemi siç duhet për ta. Ne e kemi përsëritur shumë herë muajin e fundit, nevojën për më shumë testime si rekomandim i OBSH-së por edhe si përvojë e vendeve që kanë pasur sukses në luftën kundër pandemise. Qeveria e Kosovës ende po mban një nivel shumë të ulët të testimeve krahasuar me vendet e tjera të Evropës. E gjithë kjo periudhë izolimi ka kuptim nëse kjo kohë përdoret për të testuar masivisht për të identifikuar edhe të infektuarit që nuk shfaqin simptoma. Çdo vonesë e mëtejshme me testimet do të na kushtojë shumë shtrenjtë jo vetëm në jetë njerëzish, por edhe në dëm të pallogaritshëm ekonomik”.