Kryeparlamentari Kadri Veseli, në emisionin Frontal të T7, ka folur rreth qëndrimit të opozitës në dialogun me Serbinë. Veseli thotë se është i gatshëm t’ia lëshojë pushtetin Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mënyrë që ajo të bëhet pjesë e dialogut, ndërsa ka shtuar se partia e tij nuk e ka tradhtuar Isa Mustafën kur u rrezua qeveria në të cilën ishin bashkë.
Kreu i PDK-së thotë se është i gatshëm të shkojë në zgjedhjet, të cilat po i kërkon LDK-ja, por sipas tij, partia e Mustafës duhet të pranojë rezultatin e zgjedhjeve.
Veseli thotë se ka pasur disa zgjedhje kur LDK-ja nuk e ka pranuar humbjen.
“Ata nuk janë as për zgjedhje. Nëse janë për zgjedhje atëherë ta bëjmë reformën zgjedhore dhe pas zgjedhjeve të pranohet rezultati. LDK ka disa zgjedhje që nuk i ka pranuar zgjedhjet”, ka thënë Veseli.
Veseli ka thënë se Qeverinë Mustafa nuk e ka rrezuar PDK-ja, por deputetët e LDK-së, si Vjosa Osmani dhe Anton Quni, që nuk e votuan demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Ai shton se duhet respektuar insistimin e ndërkombëtarëve që të arrihet marrëveshja me Serbinë, ndërsa thotë se është i gatshëm t’ia lëshojë vendin LDK’së dhe të dalë në opozitë.
“Ne po flasim për insistim të partnerëve që të futemi në proces dhe del e thotë LDK që duhet të vijmë ne në pushtet. Le të vijë LDK e ta marrë pushtetin, jam i gatshëm të dal në opozitë”, është shprehur Veseli në Frontal.