Veseli në Kaçanik: Të bëhemi bashkë për ta përfunduar çështjen me Serbinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli tha sot në Kaçanik se për bisedime me Serbinë duhet të bëhen bashkë pozitë dhe opozitë.

Veseli tha se në këto bisedime as që vjen në shprehje që të diskutohet për territorin e Kosovës.

“Ne kemi një të kaluar të hidhur dhe si të përmendet Serbia në padyshim që ndjejmë dhembje dhe një far antipatie për atë çështje, por duhet me përfunduar edhe atë pjesë. Unë besoj se do të bëhemi bashkërisht, pozitë dhe opozitë, me i lënë inatet mes vete dhe të orientohem drejtpërdrejt me e përfunduar çështjen me Serbinë. Përfundimtare Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, nuk ka më as dilemë. Ne po flasim vetëm për raportet Kosovë – Serbi drejt Bashkimit Evropian. Por në çështjen e të ardhmes së Kosovës ne as nuk do të hapim diskutim rreth asaj çështje, për faktin se territori dhe institucionet janë një dhe të pandashme dhe të qytetarëve të Kosovës të cilët janë shqiptarë shumica prej 92- 3 për qind”, tha Veseli, përcjell kp.

Ai tha se shqiptarët nuk do të bëjnë kurrë gabime me serbët ashtu siç ata janë sjellë të kaluarën me shqiptarët.

“Janë komunitet që kanë të drejtën më të avancuar pothuajse nga të gjitha komunitetet në Evropë”, tha Veseli.

Këto deklarata i pari i Kuvendit i ka dhënë në Kaçanik gjatë përurimit të një tereni sportiv në këtë qytet.