Veseli: Kosova ka shumë dëshmi duke përfshirë faktet nga arkivat serbe

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se Kosova ka dëshmi të mjaftueshme për gjenocidin serb në Kosovë.

Ai në vazhdimin e seancës plenare ka marrë fjalën për të folur për faktet dhe dokumentet që posedon shteti i Kosovës e që sipas tij dëshmojnë gjenocidin e Serbisë gjatë luftës në Kosovë.

“Kosova ka shumë dëshmi që faktojnë gjenocidin serb. Kosova është në gjendje ta dëshmojë gjenocidin serb në Kosovë. Forma se si ka ndodhur, koha, vendin e saktë dhe kryesit e tyre”, deklaroi Veseli, transmeton lajmi.net.

“Të gjitha mund të faktohen dhe dokumentohen. Kosova ka edhe platformën dhe dëshmitë për ekzekutuesit e masakrave në Kosovë”, shtoi ai.

“Kosova ka fakte se si janë munduar të fshihen gjurmët e krimeve serbe në Kosovë”, theksoi Veseli.

Ai po ashtu ka komentuar edhe fotografinë e publikuar nga Flora Brovina që paraqiste një grua të dhunuar por që doli se nuk ishte një ngjarje nga lufta në Kosovë.

“Flora ka bërë një gabim të madh, por edhe ajo ka pësuar nga gjenocidi serb. Sa do që është gabim është edhe pasoja e gjenodicit,. Mediat kanë mundur të jenë më të përmbajtura…duke marrë parasysh rrethanat e saj dhe kontributin. Sa për temën dhunime gjatë luftës janë fakt i ditur, nuk ka duhej një foto as qindra për ta dëshmuar këtë, sepse qindra gra ende presin drejtësi”, theksoi Veseli.