Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar deputetët e parlamentit të Kosovës, që të jenë prezentë të dielen në kuvend dhe ta përkrahin marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi.
Postimi i plotë i Veselit në “facebook”:
“Ftoj deputetët e Kuvendit të Kosovës, si të zgjedhur nga populli për të punuar për të mirën e vendit, që të dielën, në orën 18:00, të jenë prezentë në seancë dhe ta përkrahin Marrëveshjen për Kufirin me Malin e Zi, që e forcon edhe më tutje sovranitetin e Kosovës dhe hap perspektivën tonë europiane. Jam i lumtur që po shkojmë drejt një konsensusi nacional e politik që kjo çështje të përfundojë.
Falënderoj shtetin e Malit të Zi për gatishmërinë që Kosova ta tejkalojë situatën në të cilën gjendet tash e sa kohë. Presim dhe besojmë se edhe BE-ja do të veprojë shpejt për t’i hapur rrugë liberalizimit.
Qytetarët e Kosovës janë mbajtur gjatë të izoluar. Nuk ka forcë politike, pro-perëndimore, që ia do të mirën Kosovës, e që nuk e përkrah këtë proces, që nuk e dëshiron forcimin e sovranitetit të Kosovës, agjendën europiane dhe miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.