Veseli del kundër Thaçit e Haradinajt

Partia Demokratike e Kosovës ka dalë kundër idesë së ish-shefit të saj, Hashim Thaçit për idetë e korrigjimit të kufijve dhe kundër thirrjes së Ramush Haradinajt për organizimin e një Konference Ndërkombëtare.
Në një komunikatë për media, kjo parti u ka bërë thirrje institucionit të presidentit dhe kryeministrit që të heqin dorë nga qasja dhe protagonizmi i njëanshëm politik dhe të bashkërendojnë veprimet në interes të Kosovës.
Idenë e një Konference të Ndërkombëtare, PDK-ja e sheh si rrezik real të rihapjes së statusit final të Kosovës, i zgjidhur përfundimisht me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, si dhe rrezikun e involvimit të Rusisë në proces.
“Pikëpamjet personale janë legjitime, por qëndrimi zyrtar dhe vendimmarrja për vendin duhet të jenë shtetërore, gjithmonë dhe në çdo rast. Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë i shtetit dhe asnjë vendim nuk ka vlerë pa marrë miratimin e deputetëve të tij”, thuhet në komunikatë.
Partia Demokratike e Kosovës kërkon që të hiqet dorë nga deklarimet e thirrjes së një Konference Ndërkombëtare për Kosovën.
“Kjo ide përmban rrezikun real të rihapjes së statusit final të Kosovës, i zgjidhur përfundimisht me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, si dhe rrezikun e involvimit të Rusisë në proces”, ka thënë PDK-ja.
Sipas PDK-së, Kosova shkon në Dialog vetëm për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, njohjen reciproke, ulësen në OKB dhe përshpejtimin e anëtarësimit në BE dhe NATO.
“Partia Demokratike e Kosovës kërkon edhe një herë nga forcat politike opozitare që t’i marrin përgjegjësisë shtetërore ndaj vendit, për çka kanë marrë votëbesimin qytetar”, thuhet në komunikatë.
PDK-ja gjithashtu i ka bërë thirrje LDK-së që të ndal përdorimin e gjuhës denigruese derisa Lëvizjes Vetëvendosje i ka bërë thirrje që të distancohet nga diskursi kundër shtetit.
Sipas PDK-së, çdo vendimmarrje e arritur në përfundim të Dialogut me Serbinë duhet të legjitimohet nga vullneti i drejtpërdrejtë i popullit të Kosovës me referendum dhe nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.