Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Vesa Broja, e cila ka qenë vazhdimisht pranë Arian Tahirit gjatë fushatës së tij, ka denoncuar lajmet e rreme që po shpërndahen nga kampi i Faton Pecit, ku njeri prej tyre ishte edhe shpërndarja e një liste të rreme për kinse drejtorë të ardhshëm, e cila ka shkaktuar konfuzion te qytetarët.
Sipas Brojës, sa herë që vijnë zgjedhjet lokale, kundërshtarët publikojnë lista “të dëshiruara” me drejtorë, duke futur në ato lista edhe figura me reputacion jo të mirë, vetëm për t’i irrituar qytetarët dhe për të krijuar konfuzion.
“Minimalisht, që 10 vjet e bëjnë të njëjtën gjë. Në kabinetin e kryetarit Arian Tahiri nuk do të emërohet askush pa përgatitje, arsimim dhe që nuk gëzon respekt te qytetarët. Drejtorët e rinj do të përzgjidhen në koordinim me partnerët e koalicionit, për të garantuar qeverisje profesionale dhe transparente”, tha Broja, duke e quajtur këtë praktikë një strategji të vjetër propagandistike që nuk ka lidhje me interesin e qytetarëve.
Ajo theksoi se ky manipulim i qëllimshëm dezinformon dhe çorienton qytetarët, duke kultivuar mosbesim ndaj institucioneve.
Sipas saj, kampi kundërshtar është në panikun e humbjes dhe po përdor taktika të njohura politike të “frikës dhe sulmit”, duke deformuar realitetin dhe duke fshehur mungesën totale të planeve konkrete për Mitrovicën.
Broja është e bindur që qytetarët e Mitrovicës e kanë të njohur këtë metodë propagandistike dhe nuk mund të manipulohen më.













