Një sasi e madhe e ujit ka përfshirë punishten ku po ndërtohet ura e re e Ibrit në Mitrovicë gjatë natës.
Atje pronari i kompanisë ndërtuese, Jahir Nimani, ka akuzuar se brana është lëshuar qëllimshëm nga Ujmani për të dëmtuar punimet derisa u ankua se shumë pajisje e materiale janë dëmtuar nga uji.
Ai tha se për këtë rast në vendngjarje ka dalë edhe Policia e Kosovës, e cila ende s’është deklaruar zyrtarisht.
Gazeta Express ka kontaktuar me zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili ka udhëzuar që pyetjet të dërgohen te Ndërmarrja Hidroekonomike Ibër-Lepenc.
Gazeta ka tentuar të kontaktojë edhe me kryeshefin ekzekutiv të ndërmarrjes, Faruk Mujka, por s’ka qenë i qasshëm.
Ndërkaq, njoftimi i vetëm nga Ibër Lepenci deri më tani është ai i dhënë për ujësjellësin e Mitrovicës ku njofton se sot do të ketë zvogëlim të nivelit të ujit në kanalin kryesor “Ibër-Lepenc” që për pasojë mund të ketë mungesë të ujit në zonat më të larta të qytetit dhe në fshatrat përreth.
“Ju njoftojmë se nga kompania “Ibër-Lepenc” jemi informuar se gjatë ditës së sotme do të ketë zvogëlim të nivelit të ujit në kanalin kryesor “Ibër-Lepenc”. Si pasojë e kësaj, Impiantet për Trajtimin e Ujit në Shipol dhe Balinc do të punojnë me kapacitet të reduktuar të prodhimit, gjë që mund të shkaktojë mungesë të ujit, veçanërisht në zonat e larta të qytetit dhe fshatrat përreth. Ekipet tona janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për normalizimin e furnizimit sapo të stabilizohet niveli i ujit në kanalin “Ibër-Lepenc””, u tha në njoftim.
Ndërmarrja Hidroekonomike Ibër-Lepenc, me seli në Prishtinë, është një ndërmarrje që furnizon me ujë të papërpunuar industrinë, ujësjellësit dhe bujqësinë, si dhe prodhon energji elektrike nga hidrocentrali i Ujmanit.
Ujmani, rreth 25 kilometra larg Mitrovicës, është një liqen artificial i krijuar me ndërtimin e digës së Ujmanit mbi lumin Ibër për të siguruar furnizimin me ujë për popullsinë, industrinë, termocentralet dhe për ujitje.










