Vërshimet masive “pushtojnë” Kosovën – Qeverisë i kërkohet ndarja pa vonesë e fondeve emergjente

Reshjet e pandërprera të shiut gjatë ditëve të fundit kanë rënduar ndjeshëm situatën, duke shkaktuar përmbytje masive në disa komuna kyçe. Zonat më të goditura raportohen të jenë Drenasi, Malisheva, Juniku dhe Gjakova, ku dëmet në infrastrukturë, shtëpi private dhe toka bujqësore janë të konsiderueshme.

Ndërsa niveli i ujërave vazhdon të jetë kritik në disa dhe parashikimet meteorologjike paralajmërojnë përkeqësim të motit së fundi me ulje temepraurash dhe reshje bore në disa zona, Qeverisë i është bërë thirrje për reagim të shpejtë dhe konkret. Nga ish-opozita kanë kërkuar jo vetëm prezencë në terren, por edhe ndarje të menjëhershme të fondeve financiare dhe rishikim të buxhetit shtetëror për vitin 2026.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar situatën si kritike, duke kërkuar që dora e shtetit të ndihet menjëherë te qytetarët e prekur.

“Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në mbarë Kosovën. Shtëpi, biznese dhe ekonomi familjare janë goditur rëndë. Kjo gjendje nuk pret.

Duhet veprim i menjëhershëm. Duhet vlerësim urgjent i dëmeve dhe mbështetje direkte për familjet e prekura. Fondet emergjente duhet të ndahen pa vonesë. Buxheti i 2026 duhet të përshtatet dhe të reflektoj qartësisht këtë fatkeqësi. Dora e shtetit duhet të ndjehet menjëherë dhe përgjatë gjjthë vitit 2026.

Institucionet të rrisin gatishmërinë dhe të jenë në terren. Solidaritet dhe përgjegjësi që tani, sepse nesër është vonë.

Përkrahje të plotë për zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe shtabet emergjente që janë pranë qytetarëve.”

Nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtarja e kryesisë Hykmete Bajrami, ka ngritur alarmin për rrezikun që kanoset nga ndryshimi i menjëhershëm i kushteve atmosferike, duke rritur rrezikun për përmbytje të reja.

“Secili banor i prekur duhet të ndihmohet, secili biznes të kompensohet, secili bujk të mbështetet dhe çdo familje të marrë ndihmë emergjente.

Meqë moti me shi po vazhdon dhe nesër priten reshje bore, ekziston rrezik për përmbytje të reja. Shteti duhet të jetë në terren dhe pranë qytetarëve në Drenas, Malishevë, Junik, Gjakovë dhe në komunat e tjera të prekura.” – tha Bajrami.

Ajo shtoi se “Qeveria duhet të sigurojë fonde emergjente, të hartojë një strategji, dhe të ndaj buxhet në buxhetin e vitit 2026 për të ndermarrë veprime konkrete për parandalimin dhe menaxhimin e situatave të tilla në të ardhmen.”