Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka numëruar veprimet dhe masat që Qeveria e udhëhequr nga ai ka marrë siç thotë për të shtrirë respektimin e rendit dhe ligjit në çdo cep të vendit.
Ai thotë se veriu i Kosovës nga një regjion me prani jo vetëm të terroristëve dhe kriminelëve serbë, por edhe një nga lokacionet më proruse, tashmë është stabilizuar dukshëm.
Kurti thotë se Serbia ka humbur forcën destabilizuese që kishte më parë, dhe nuk ka më mekanizma të fortë kërcënues brenda Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Postimi i tij:
Inteligjenca e sigurisë nacionale në Kosovë
Duke ju falenderuar bashkërendimit institucional, bashkëpunimit profesional dhe ndërveprimit operacional, nga organet e inteligjencës, sigurisë dhe drejtësisë të shtetit tonë, siguria nacionale e Republikës së Kosovës është përmirësuar shumë sepse është shtrirë çdokund e gjithandej territorit dhe është shtuar si asnjëherë më parë.
Si rezultat i masave dhe veprimeve të ndërmarra është siguria është përforcuar në vazhdimësi përgjatë viteve të fundit, veçanërisht në katër komunat në veri ku problemet e sigurisë ishin me të theksuara. Gjendja e sigurisë në veri ka qenë e rëndë për shkak të ndikimit dhe rolit të Serbisë por edhe masave të institucioneve të Republikës së Kosovës në të kaluarën të cilat ishin asimetrike me nivelin e kërcënimit.
Progresi përgjatë viteve në raport me zvogëlimin e ndikimit të Serbisë, përmirësimi i situatës së sigurisë në katër komunat në veri, garantimi i lëvizjes së lirë, operimit të bizneseve, fuqizimi i sundimit të rendit dhe ligjit atje, kanë ndikuar në një ambient me të sigurt, jo vetëm në katër komunat veriore, por edhe në vendbanimet tjera me shumicë serbe.
Veriu i Kosovës nga një regjion me prani jo vetëm të terroristëve dhe kriminelëve serbë, por edhe një nga lokacionet më proruse, tashmë është stabilizuar dukshëm. Stabilizimi i situatës në këtë pjesë, ka ndikuar pozitivisht përveç sigurisë së përgjithshme të Republikës së Kosovës edhe në atë rajonale.
Aspektet kryesore ku ka pasur progres të vazhdueshëm dhe thelbësor :
– Reduktimi i kapaciteteve destabilizuese të Serbisë në Kosovë (në veri dhe në pjesë tjera të vendit tonë);
– Përmirësimi i situatës së sigurisë;
– Largimi i barrikadave dhe pamundësimi i rivendosjes së tyre;
– Luftimi i grupeve kriminale dhe terroriste;
– Neutralizimi i mekanizmave ilegal të kontrolluar nga Serbia që kanë monitoruar dhe raportuar për aspekte të sigurisë në veri;
– Sundimi i rendit dhe ligjit që solli edhe forcimin e sovranitetit;
– Fillimi i procesit të formalizmit dhe zgjerimit të ekonomisë në veri të vendit;
– Luftimi i kontrabandës dhe mbyllja e rrugëve ilegale;
– Mbyllja e strukturave ilegale;
– Shpallja e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” organizata terroriste;
– Kundërvënia e suksesshme ndaj sulmit agresor dhe terrorist në Banjskë (24.09.2023), ditën e sulmit dhe më pas, përfshirë konfiskimin e armatimit dhe ngritjen e aktakuzës;
– Menaxhimi efikas i dëmeve nga sulmi terrorist ndaj infrastrukturës vitale, kanalit të furnizimit me ujë Ibër-Lepenc (29.11.2024);
– Arrestimi dhe procedimi i rasteve ndaj të përfshirëve në vepra kriminale dhe terroriste në veri, shpallja në kërkim e shumë personave të dyshuar për sulme dhe mandej arratisja e tyre për në Serbi;
– Dekonspirimi i aktiviteteve agresive/provokuese të Serbisë përgjatë vijës kufitare (lëvizjet e ushtrisë dhe mjeteve ushtarake);
– Ulja graduale e incidenteve dhe sulmeve në veri, me theks të veçantë nga viti 2024 e tutje.
Kërcënimi i lartë i Serbisë në terren, është reduktuar gradualisht, si pasojë e neutralizimit të mekanizmave destabilizuese të saj. Masat e vazhdueshme dhe efektive kanë bërë që të arratisen jashtë kufijve të Kosovës pjesëtarët e grupeve terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” si dhe pjesëtarë të strukturat ilegale, atyre të sigurisë, pjesëtarët e grupeve kriminale dhe të organizatave ekstremiste të lidhura me Serbinë dhe Rusinë. Lokalizimi dhe konfiskimi armatimit të konsiderueshëm në veri ka ndikuar pozitivisht në siguri.
Arrestimi i 5 bashkëpunëtoreve të fshehtë të shërbimeve të inteligjencës së Serbisë (2024-2025), ka rritur sentimentin e sigurisë edhe te qytetarët dhe njëkohësisht ka ngritur besimin e tyre tek institucionet e sigurisë.
Zgjedhjet e fundit parlamentare kanë shënuar rritje të pluralizmit politik në mesin e subjekteve politike serbe.
Ndërhyrja e Serbisë (për shkak të kufizimit të mundësive për veprim), ka ndryshuar formë – nga vrasjet dhe brutaliteti fizik ndaj kundërshtarëve politikë e votuesve në kushtëzime financiare e presione të tjera më të buta. Kjo ka rezultuar edhe në rezultat elektoral, ku më shumë se 20 % e serbëve tashmë nuk e kanë votuar “Listën Serbe”, si instrument të Beogradit, kurse në Kuvendin e Republikës së Kosovës nuk i kontrollon më 10 mandatet e ulëseve të rezervuara.
Tashmë Serbia ka humbur forcën destabilizuese që kishte më parë, përkatësisht nuk ka më mekanizma të fortë kërcënues brenda Kosovës. Të tillët kanë mbetur përgjatë kufirit (Forcat e Armatosura të Serbisë dhe Policia), e sporadikisht, në pika afër kufirit, janë të pranishëm edhe pjesëtarë të organizatave terroriste e grupeve kriminale. Serbia vazhdon të paraqes kërcënim të lartë për Kosovën si shtet armiqësor që shfrytëzon mekanizmat e sigurisë, grupet terroriste dhe kriminale, dezinformacionin dhe fushatat propaganduese, kërcënimet tjera hibride, për të cenuar sigurinë dhe interesat e Kosovës.
Grupet e fuqishme kriminale serbe në veri janë luftuar suksesshëm, gjersa janë mbyllur rrugë ilegale, janë shkatërruar dhjetëra laboratorë të drogës në veri dhe është rritur monitorimi i vijës kufitare. Kjo ka dhënë rezultate në parandalimin e kontrabandës së mallrave, trafikimit të armëve, imigrantëve dhe dukurive të tjera kriminale. Trafikimi i lëndëve narkotike nga grupe kriminale që e shfrytëzojnë Kosovën si transit, pastrimi i parave dhe trafikimi i armëve, shfrytëzimi i grupeve kriminale nga Serbia për qëllime politike dhe të sigurisë, janë sfida të vazhdueshme që ndërlidhen me krimin e organizuar.
Përkundër intensifikimit të luftës hibride nga Serbia dhe Rusia, institucionet relevante kanë shtuar bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve, në kundërvënie ndaj tyre.
Ka pasur në vazhdimësi operacione që janë zhvilluar më qëllim të detektimit dhe parandalimit të sulmeve të ndryshme në veri dhe pjesë tjera të vendit.
Është luftuar suksesshëm radikalizmi, ekstremizmi dhe terrorizmi me motive fetare. Niveli i kërcënimit nga sulmet e tilla terroriste është i ulët, pa asnjë sulm të regjistruar. Ndërsa, niveli i kërcënimit nga përhapja e rrymave radikale mbetet i mesëm, me tendenca të rritjes, si pasojë e operimit të disa “mesxhideve ilegale”, përpjekjeve për konsolidim të disa grupeve, radikalizmit të gjeneratave të reja nga radikalizmi online, radikalizmi i shtetasve tanë në diasporë, radikalizmi në burgje si dhe angazhimi i shteteve dhe qarqeve jomiqësore në përhapjen e rrymave radikale dhe propagandimin kundër Kosovës.
Është parandaluar influenca malinje e shteteve dhe qarqeve jomiqësore si Rusia, Kina dhe Irani. Ndikimi i tyre në Kosovë është më i ulti në rajon dhe më gjerë. Në aspektin e jashtëm, prania e lartë e Rusisë në Serbi si dhe sinkronizimi i aktiviteteve kundër Kosovës, puqja e interesave mes tyre për destabilizim të rajonit, po ndikojnë që kërcënimi nga Rusia të mbetet i lartë.
Është shënuar avancim i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar me impakt në sigurinë nacionale. Është rritur ndjeshëm komunikimi dhe koordinimi i aktiviteteve në mes të institucioneve të sigurisë, institucioneve të tjera relevante dhe aktorëve tjerë. Ka vazhduar bashkëpunimi i afërt me partnerët rajonalë dhe ata strategjikë, në fushën e inteligjencës, të sigurisë dhe të mbrojtjes. AKI ka zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin ndërkombëtar, përfshirë vendosjen e kontakteve të bashkëpunimit me agjenci përkatëse në kuadër të BE-së, NATO-s dhe më gjerë;
Avancimi i kapaciteteve të institucioneve të mbrojtjes, inteligjencës dhe sigurisë (humane, teknike, teknologjike), ka ndikuar pozitivisht në përforcimin e sigurisë nacionale, ballafaqimin e suksesshëm me sfidat e sigurisë, detektimin dhe parandalimin e kërcënimeve, si dhe hetimin e rasteve të ndryshme, me impakt për sigurinë.
Në vijim keni një listë të vendimeve dhe veprimeve të institucioneve me mandat ekzekutiv dhe legjislativ, të cilat kanë pasur ndikim pozitiv në përforcimin e sigurisë nacionale. Në pjesë më të madhe të operacioneve të institucioneve të sigurisë si dhe trajtimit të temave të tjera me interes, AKI ka ofruar kontribut të vazhdueshëm, përmes strukturave të specializuara në fushën e analizës, operativo-teknike si dhe kundërvënies ndaj kërcënimeve hibride.