Kanë kaluar 24 orë kur ShBA-ja e ka dënuar ashpër verimin e KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet 28 dhjetorit dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e ka thënë asnjë fjalë.
Ndonëse në reagimin e ambasadës së SHBA-së në Prishtinë është thënë se veprimet e tillë a minojnë stabilitetin e Kosovës, shefja e shtetit ka zgjedhur heshtjen.
Me heshtjen e saj ndaj kritikave të ashpra të ShBA-së dhe aleatëve tjerë të Kosovës duket se presidentja Osmani pajtohen me qëndrimin e partisë në pushtet.
Reagimin e të pares se shtetit e ka kërkuar shoqëria civile.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka kërkuar reagimin e Osmanit.
Në profilin e tij në “Facebook”, Miftaraj ka shkruar se Osmani duhet të tregohet e guximshme në mbrojtjen e aleancës me ShBA-të.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikes po thone se veprimet e Levizjes Vetvendosje cenojnë stabilitetin në Kosovë dhe interesat e Shteteve te Bashkuara te Amerikes. Tanime secili qe ka pak mend në kokë e kupton dhe e dinë saktë se Albin Kurti dhe LVV per me mbet ne pushtet perdor çdo mjet qe i vjen ne dorë, shkon aq larg sa cenon edhe aleancen me ShBA. Uria e LVV dhe Albin Kurtit per pushtet, financa, klientelizem, korrupsion ka shkuar ne nivel tjeter, ne nivel te frikshem. Por shtrohet pyetja nese Presidentja Osmani do kete guximin te reagoj, te ruaj aleancen me ShBA. Apo do vazhdoj te luaj lojen e LVV dhe Kurtit”, ka shkruar Miftarja.
Çka thana ShBA dhe aleatët?
Në reagimin e ambasadës është bërë me dije se moscertifikimi i Listës Serbe minon rinisjen e dialogut strategjik me Kosovës.
“Përpjekjet e VV-së për ta bllokuar certifikimin që Lista Srpska të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtpamëse dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë rinisjen e dialogut tonë strategjik për avancimin e mundësive për bizneset amerikane dhe kosovare”, është thënë në reagim.
Moscertifikimi i Listës Serbe në mbledhjen e djeshme të KQZ-së është dënuar edhe nga BE-ja dhe OSBE-ja.
Bashkimi Evropian, Ambasada e Britanisë së Madhe dhe Misioni i OSBE-së kanë shprehur shqetësime serioze për pavarësinë e institucionit që menaxhon zgjedhjet, duke akuzuar drejtpërdrejt partitë politike – specifikisht Lëvizjen Vetëvendosje – për ndërhyrje dhe politizim të procesit.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur “keqardhje” për vendimin, duke e cilësuar atë si të dëmshëm për një proces gjithëpërfshirës zgjedhor.
“Politizimi i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë e tjera politike është i dëmshëm për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe raportin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së”, është thënë në reagimin e tyre.
Shqetësim serioz ka shprehur edhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves. Diplomati britanik ka paralajmëruar se pengimi i pjesëmarrjes së subjektit kryesor serb në zgjedhje mund të ketë pasoja afatgjata për imazhin demokratik të shtetit.
“Ndihem seriozisht i shqetësuar me përpjekjen e fundit të akterëve politikë për të penguar Listën Serbe që të marrë pjesë në proceset zgjedhore. Veprime të tilla rrezikojnë të gërryejnë reputacionin me mund të fituar të Kosovës si demokraci shumetnike dhe dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e saj të afërt”, ka deklaruar Hargreaves në një postim në Facebook.
Shqetësimeve për vendimin e KQZ-së u është bashkuar edhe Misioni i OSBE-së, i cili ka vlerësuar se një veprim i tillë përbën hap prapa nga standardet ndërkombëtare.
“Jemi seriozisht të shqetësuar nga polarizimi politik në rritje brenda KQZ-së, i reflektuar në sjelljen e votimit që duket se drejtohet nga interesa partiake dhe jo nga kriteret ligjore… Një sjellje e tillë minon paanshmërinë dhe besueshmërinë thelbësore për një organ të pavarur,” është thënë në reagimin e OSBE-së.
Në mbledhjen e të hënës të KQZ-së, ku janë certifikuar subjektet politike për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje e ka kthyer në skenë filmin e njëjtë para zgjedhjeve.
Në këtë mbledhje dy zyrtarët e VV-së kanë votuar kundër certifikimit të këtij subjekti politike.
Në këtë mënyrë ata kanë vepruar edhe për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit dhe për zgjedhjet lokale të tetorit.
Për këto zgjedhje certifikimi i Listës Serbe ka ndodhur vetëm pasi ankesës së këtij subjekti politik i ka dhënë të drejt PZAP-ja dhe Gjykata Supreme./Nacionale











