“Veprimet e Albinit të pamatura”, “VV ta pyes vetën kah po shkojmë si shtet”, kritikat që sot nga AAK ia bën Kurtit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve mbi veprimet e Qeverisë në detyrë të kryeministrit Albin Kurti. Ambasada amerikane në Prishtinë, tha se veprimet e ekzekutivit kanë rritur tensionet dhe kufizuar bashkëpunimin produktiv.

Ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk e ka thënë ende asnjë fjalë për vendimin e SHBA-ve, ndonëse kanë kaluar disa orë prej kur ambasada kumtoi lajmin, sot kritikat ndaj tij i ka vazhduar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt, shkruan Reporteri.net.

Zyrtari i lartë i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se kushdo që e dëmton lidhjen e Kosovës me SHBA-në bën tradhti të rëndë.

“Lidhja e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është vetëm marrëdhënie bilaterale apo partneritet strategjik, por është lidhje gjaku. Pse, sepse në vitin 1999, Amerika ndali gjakderdhjen, spastrimin etnik dhe solli lirinë, dhe se kjo e vërtetë është e skalitur në identitetin tonë shtetëror. Tash, kur po shfaqen tendenca për ta relativizuar këtë lidhje dhe për ta reduktuar vetëm në kontekste politike të momentit, duhet të kujtojmë se raporti ynë me SHBA nuk është i bazuar në eksperimente e kalkulime, por në sakrificë, histori, besim të ndërsjellë dhe lidhje gjaku”.

“Tash çka, për mendimin tim:
1. ky është moment për reflektim të thellë, nga këta që na sollën Kosovën në këtë ditë. VV duhet ta pyesin vetën, ku e sollëm vendin dhe kah po shkojmë si shtet?
2. E ne të tjerët që mendojnë ndryshe duhet t’ja themi popullit me ma guxim që Kosova e pavarur, demokratike e multi-etnike është projekt i përjetshëm prej të cilit përfitonë më së shumti kombi shqiptar. Për mua, çdo mjegullnajë që tenton ta dobësojë këtë lidhje dhe kushdo që sadopak dëmton marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën bën tradhëti të rëndë pasi që këtë marrëdhënie e ka bekuar edhe Zoti. Shkurt e shqip, SHBA është e shkuara, e tashmja dhe ardhmja e sigurt dhe e ndritshme e Kosovës”, ka shkruar Tahiri dje në Faceobok.

Ish-deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, thotë veprimet e pamatura dhe të njëanshme të kryeministrit në detyrë Albin Kurti i kanë shtyrë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndërprerë dialogun strategjik me Kosovën, shkruan Reporteri.net.

“Raportet e Kosovës me SHBA-në janë themeli i lirisë sonë. Pa Amerikën, sot nuk do të kishim shtetin që kemi. Prandaj është tronditëse të shohim se si veprimet e pamatura dhe të njëanshme të Albin Kurtit e kanë shtyrë aleatin tonë më të madh të reagojë kaq ashpër. Ky nuk është vetëm një dënim politik, është një paralajmërim serioz për të mbrojtur interesin shtetëror dhe për të ruajtur miqësinë jetike me SHBA-në”, ka shkruar Lekaj në Facebook.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk e ka thënë ende asnjë fjalë për vendimin e SHBA-ve, ndonëse kanë kaluar disa orë prej kur ambasada kumtoi lajmin, partitë kanë adresuar akuza në drejtim të tij.

Kujtojmë se Qeveria në detyrë ka reaguar përmes zëdhënësit të saj Përparim Kryeziu, i cili ka deklaruar se “i mirëpresim edhe kritikat nga SHBA-ja, kur janë konkrete i korrigjojmë veprimet”. /Reporteri.net/.