Nga Valon Murati
Vepra e munguar e Ismail Kadaresë
1. A mund të ketë Ismail Kadare një vepër të munguar? Sigurisht çdo shkrimtar vdes me ndonjë peng në zemër. Vdes duke lënë ndonjë vepër të papërfunduar, apo ndonjë të pafilluar. Po a mund të ketë po ashtu një popull që i mungon një vepër shkrimtari? E sidomos kur bëhet fjalë për shkrimtarin më të madh të një populli të vogël?! Ismail Kadare me veprën e tij e ka skalitur për botën në të cilën po jetojmë në mënyrën më të përsosur skeletin e identitetit kombëtar shqiptar, me virtytet dhe cenet e tij, me të arriturat dhe dështimet, me fitoret dhe humbjet. Ai ka shkruar për gurët e qytetit të tij të lindjes Gjirokastrës, për njerëzit dhe lagjet e tij të veçanta. Ai ka shkruar për mjegullnajat e Bjeshkëve të Nemuna dhe shiun e pandalur të rrafshinave shqiptare. Më mirë se askush i ka dekoduar doket dhe zakonet e veriut, kanunin, besën, eposin e legjendat plot mister që për pikëtakim kishin Hanin e Dy Robertëve. I ka thurë himn pushkës, si vazhdim i boshtit vertebral të shqiptarit, jo si mjet vrasjeje por si mjet i mbrojtjes së lirisë së tij. Kosovës i ka kushtuar poezi që në vitin 1966 kur kishte kaluar mbi të me avion, duke vazhduar të merrej me të si një pjesë e munguar dhunshëm e atdheut deri në lirinë e saj dhe më pas gati deri në frymën e fundit. Ka shkruar dhe polemizuar në mbrojtje të Kosovës. Poezia e vitit 1981 “E hidhur vjeshtë e këtij viti”, romani “Krushqit janë të ngrirë”, tregimi “Baladë për J.G.” ishin frymëzim për shqiptarët e Kosovës pas demonstratave të vitit 1981 e deri në ditën e çlirimit. Ka shkruar artikuj përkrahës për kërkesën për republikë gjatë viteve 1980’. Ka polemizuar përmes një artikulli të gjatë në tetor të vitit 1989 në “Le Monde Diplomatique” kundër tezave shoviniste të Vuk Drashkoviqit mbi prejardhjen e shqiptarëve. Ka përgatitur artikuj e dhënë intervista në revistat dhe televizionet më prestigjioze gjatë viteve 1990’ e sidomos gjatë viteve 1998-99. Ka lartësuar UÇK-në si dalëzotëse të Kosovës dhe kombit, ka përmendur masakrat në Kosovë përfshirë edhe rënien e Adem Jasharit me familje, ka komunikuar me Ukshin Hotin, ka polemizuar me Rexhep Qosjen pas luftës, ka kritikuar Rugovën, dhe tërhequr më pas kritikat, për qëndrimet e tij gjatë luftës. Ka vajtuar e mallkuar për ndarjen e kombit, ka vetëtuar e bubulluar pa ndalur për lirinë e Kosovës. Ka vendosur autoritetin e tij prej shkrimtari me nam botëror e intelektuali të respektuar gjithandej globit në shërbim të lirisë së një pjese të atdheut të tij. Ka shkruar “Tri këngë zie për Kosovën” dhe për herë të parë ka mbajtur ditar gjatë luftës në Kosovë duke e botuar më pas veprën “Ra ky mort e u pamë”. E po ashtu në shumë vepra të tij, Kosova është pjesë e trajtimit direkt dhe indirekt edhe kur nuk është pjesë qendrore e temës, prej “Dosjes H” tek “Hamleti, Princ i Vështirë”, prej “Vitit të Mbrapsht” tek “Ftesë në Studio” e “Mosmarrëveshja”. Ka qenë në Prekaz më 20 nëntor 1999, për t’u përul bashkë me Helenën para sakrificës së madhe të Adem Jasharit me familjen që qëndron në themelet e lirisë së Kosovës. E si mund që Ai të mos shkonte me të parën mundësi pas çlirimit të Kosovës tek vendi simbol i lirisë së shqiptarëve dhe Kosovës së fundit të shekullit 20? Në veprën e tij, Shqipëria ka qenë ajo e plota, me Kosovën si pjesë të natyrshme të saj, por të ndarë me dhunë. Andaj, pa kompromis ishte pjesë e luftës për lirinë e saj, edhe me çmimin e rrezikut të autoritetit të tij letrar në qarqe të caktuara, edhe me rrezikun e trajtimit të tij si nacionalist e madje shovinist. Në dy gjëra ka qenë i pakompromis, në mbrojtjen e lirisë së Kosovës dhe identitetit evropian të kombit shqiptar. Dhe sa absurde në këtë kontekst tingëllon pyetja, a ka Ismail Kadare ndonjë vepër të munguar? Dhe në veçanti a ka ai në magna opusin e tij ndonjë vepër të munguar për Kosovën?
2. Që nga vitet e pas luftës, por sidomos pas pavarësisë së Kosovës, më ka munduar sesi është e mundur që si shoqëri shqiptare në përgjithësi dhe si Kosovë në veçanti, nuk kemi arritur të krijojmë një vlerë të mirëfilltë artistike, qoftë letrare, qoftë filmike mbi sakrificën e Adem Jasharit me familje. Si është e mundur që ngjarjen që simbolizon sakrificën për liri të një populli në fund të shekullit 20-të, ngjarje që ndodhi në Evropën që krenohet se qëndron mbi themelet e lirisë, ne të mos mundemi ta bëjmë më të njohur? Si bën që një ngjarje me përmasa universale, ne ta provincializojmë, politizojmë e folkorizojmë deri në banalitet? I kredhur në mëtimet e mija rreth kësaj çështjeje, më shkonte mendja tek një emër, dhe vetëm tek një: Ismail Kadare. Po kush tjetër përveç Kadaresë, ndër shqiptarë do të mund të shkruante një vepër letrare për rënien e Adem Jasharit dhe e cila menjëherë do të mund të përkthehej në gjuhët kryesore të botës. Po kush tjetër do të mund të shkruante një vepër të karakterit epik, për një ngjarje kaq të vonshme e reale, e ta bënte të pavdekshme jo vetëm për shqiptarët por edhe botën ngjarjen që ndryshoi rrjedhat e historisë të Kosovës, asaj shqiptare dhe të rajonit në përgjithësi. Kush tjetër më bukur se ai mund ta lidhte këtë sakrificë për lirinë, kjo e fundit një vlerë universale, por të cilën Evropa e sotme pretendon se e ka një lloj “prone” mbi të, si pjesë të identitetit evropian të shqiptarëve, temë kaq për zemër por edhe sfiduese për shkrimtarin. Më sillej në mendje “Kështjella” dhe trajtimi që ia ka bërë Kadareja rrethimit të Krujës e betejës së mbrojtësve nga brenda dhe Skënderbeut nga jashtë. Nëse Kruja dhe lufta e Skënderbeut ishin simboli i rezistencës së fundit para depërtimit të perandorisë së madhe drejt Evropës, dhe rënien e Arbërit nën pushtimin otoman për pesë shekuj, rezistenca dhe rënia e Adem Jasharit me familje dhe lufta e UÇK-së simbolizonin betejën e fundit kundër pushtimit dhe diktaturës në Evropë. Kështu çlirimi i Kosovës nga Serbia si produkt i luftës së paprerë të shqiptarëve për liri, e të ndihmuar edhe nga bota demokratike në pranverën e vitit 1999, përfundimisht shpërfaqën triumfin e lirisë ndaj tiranisë, si akti i fundit i dramës së madhe të ndryshimeve të fundit të viteve 1980’ dhe fillimit të atyre 1990’. Duke qenë se nuk kisha njohje personale me Kadarenë e pata biseduar këtë ide me Arbën Xhaferin. Duhet të ketë qenë vitet 2007 apo 2008. Arbëni e pëlqeu shumë idenë, por edhe ai me shëndetin që i rrënohej çdo ditë e kishte të vështirë që të merrte flamurin e këtij projekti. Unë në një situatë të tillë nuk insistova që ai të bënte përpjekje direkte që ta kontaktonte Kadarenë dhe të bisedonte me të. Në anën tjetër mua ideja më sillej e pështillej në mendje, por me gjithë rezervat nuk më lëshonte. Unë, aty këtu, pa e përmendur Kadarenë, hidhja idenë përmes ndonjë shkrimi se duhet ta promovojmë më shumë rënien e Adem Jasharit me familje si bosht i lirisë sonë, por çdoherë hezitues të përmendja Kadarenë me emër, duke qenë i vetëdijshëm se ishte tepër pretencioze të rekomandoja publikisht se çfarë duhet të shkruante një ndër mendjet më të mëdha të kohës sonë.
3. Në vjeshtën e vitit 2015 edhe me ftesën e ambasadës sonë në Paris, në cilësinë e Ministrit të Diasporës, së bashku me ekipin tim filluam përgatitjen një vizite zyrtare në Francë për të takuar bashkatdhetarët, shoqatat e tyre kulturore, rrjetin e biznesit etj. Me bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë, Kushtrim Sheremetin dhe Agim Kuletën, e hapa temën që më mundonte kaherë: një takim i mundshëm me Kadarenë dhe përpjekja për ta hedhur në tavolinë gjatë bisedës me të, idenë e një romani për rënien e Adem Jasharit me familje. Duke qenë se e kishim folur këtë ide përgjatë viteve, të dy miqtë e mi më përkrahën, por kishin dyshimet e tyre se si do të dukej në realitet një takim me një shkrimtar, që ndër të tjera bosht të bisedës do të mund të kishte se çfarë do të ishte mirë të shkruante ai. Para udhëtimit për në Paris, vendosa që këtë ide ta trajtoj edhe me Murat Jasharin, jo aq për të marrë bekimin e familjes, sa për ta trajtuar racionalitetin e këtij projekti ideor në përgjithësi. Sigurisht Murati ishte në favor të një nisme të tillë, të cilën me të e elaboruam gjerë e gjatë. Të gjithë kishim edhe një skepticizëm shtesë, moshën e Kadaresë, e cila veç kishte filluar të linte gjurmë në fizikun e tij. Andaj i kishim dyshimet tona, ndoshta edhe në aftësinë e tij fizike për të shkruar një vepër kaq kërkuese (në kokën time, e të cilën e kisha biseduar edhe me Arbënin më herët, por edhe me Kushtrimit, Agimin, Muratin e të tjerët, shkrimtari do të duhej ndër të tjera të kalonte një kohë në Prekaz, për t’u ambientuar me rrethin, kontekstin, gjeografinë, historinë, njerëzit etj.). Përkundër të gjitha mëdyshjeve, unë e kisha vendosur, do ta takoja Ismail Kadarenë, shkrimtarit që i kisha kaq borxh për formimin tim intelektual, ndërsa sa i përket hapjes së temës që mua më mundonte, do të mbetej çështje e kontekstit të takimit. E mora numrin e telefonit nga ambasada jonë, thirra personalisht në banesën e Ismailit, dhe pas një bisede të këndshme me Helenën, bashkëshorten dhe shkrimtaren e shquar, u pajtuam që kur të shkoj në Paris të dëgjoheshim prapë dhe ta caktonim takimin. Hapi i parë ishte më i lehtë se sa e kisha menduar.
4. Më 22 shkurt të vitit 2016 pata takimin e parë me Ismail Kadarenë. U takuam me të dhe Helenën në Kafe Rostand, edhe për shkak të dëshirës sime që ta takoja në atë ambient pune, në fund të Kopshtit të Luksemburgut e krejt pranë banesës së tij në “Saint Michel”, aty ku i kishte shkruar disa prej veprave të tij në Paris. Së fundmi nga Kadareja e kisha lexuar “Mëngjeset në Kafe Rostand”, dhe isha magjepsur nga një margaritar i vogël, që gjendej brenda librit, novela kushtuar nënës së tij, “Kukulla”. Sigurisht ne nuk u takuam në mëngjes, në kohën e tij të zakonshme të punës, por pasdite. Shumë gjëra më silleshin në mend, e mbi të gjitha se si do ta zhvillonim bisedën me një njeri, për të cilin flitej se nuk është një njeri i lehtë në raportet personale. Si do shkonte takimi? E mbi të gjitha a do të arrija t’ia hapja idenë e shkrimit të një romani për rënien e Adem Jasharit? A do të kisha guximin t’ia thosha njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të gjallë në botë se çfarë të shkruante? Shkrim me rekomandim? A do të më shikonte me habi? Do të hidhte ndonjë fjalë rrotull, me nëntekst fyerës? Por kisha besimin se figura ikonike e Adem Jasharit, famëmadhja UÇK dhe qëllimi i mirë do të më mbronin para ndonjë tërbimi që mund t’i nxisja shkrimtarit nga fyerja që ai mund të ndjente nga guximi im për t’ia hapur qoftë edhe në mënyrë të tërthortë se çfarë do të duhej të shkruante ai. Gjithsesi kisha vendosur të isha shumë i kujdesshëm.
5. Ndenjëm afro dy orë. Me mua ishin edhe Kushtrimi dhe Agimi. Si dhuratë për ditëlindjen e tij të 80-të, që e kishte pasur në janar të atij viti, ia dhuruam edicionin special të pullave postare dedikuar diasporës të Postës së Kosovës e të realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës. Në momentet e paratakimit dhe në fillimet të tij nuk më shqiteshin fjalët që qarkullonin për të si një njeri hijerëndë dhe i vështirë në komunikim. Të jem i sinqertë, ky paragjykim më ishte ngjitur edhe mua, sidomos pas jetës sime në Tiranë gjatë vitit 1997 dhe më pas nga ato që thuheshin në media e biseda me njerëz të ndryshëm. Dritëro Agollin që e kisha takuar për herë të parë diku në majin e vitit 1997, të qenët popullor e kishte pjesë të famës që i shkonte pas dhe mënyrë jetese, ashtu si mendjemadhësia dhe ftohtësia ishte pjesë e famës që e përcillte Ismail Kadarenë. Për të parin e kisha vërtetuar personalisht se fama dhe realiteti ishin një, të dytit më duhej t’ia provoja po ashtu personalisht. Duke qenë i vetëdijshëm për këtë nam, shumë shpejt pasi që u ulëm dhe filluam bisedën krejt të çlirë dhe si miq të vjetër me të dhe Helenën, ai më tha: “Ministër, unë jam njeri pak i rëndë dhe i vështirë”. M’u kujtuan veprat e tij, sidomos ato me karakter autobiografik si “Kronikë në Gur”, “Breznitë e Hankonatëve”, “Kukulla”, por edhe “Kohë e Pamjaftueshme”, libri me kujtime i Helenës. M’u sollën në mend shiu, gurët, mjegulla, bora dhe e ftohta e maleve tona dhe e stepave evro-aziatike, zymtësia, dhe prapë shiu i vazhdueshëm në veprat e tij. U mrekullova nga thjeshtësia e tij. Jo, ai nuk kishte asnjë pikë nga ftohtësia dhe mendjemadhësia e tij, që tani më ishte bërë pjesë e legjendave urbane të Tiranës e Prishtinës. Po, ishte epik në thjeshtësinë e tij. Ishte i mjegullt në afërsinë e tij. Ishte disi i tërhequr në ngrohtësinë e tij. Ai kishte botën e tij, por jo nga ata që nuk të linin të futeshe brenda saj. Por nga ata njerëz, që pa asnjë hezitim të ftonin brenda për ta njohur nga afër me virtytet dhe cenet e tij. Por këto e bënin të madh, si intelektual e njeri e sidomos kur e krahasoja me disa personazhe groteske të botës akademike, politike e mediale të Prishtinës e Tiranës, të cilët mendjemadhësia boshe i bënte dhe vazhdon t’i bëjë lolo cirku.
6. Biseduam gjatë për letërsinë në përgjithësi dhe për letërsinë e tij në veçanti. Folëm për zhvillimet politike në botë dhe në atdhe si dhe për të ardhmen e shqiptarëve. Natyrshëm, duke folur për vlerat evropiane të shqiptarëve, m’u krijua momenti i përshtatshëm për t’i treguar për bisedën me Arbën Xhaferin dhe idenë se sa e dobishme do të ishte të kishim një vepër të nivelit të lartë të shkruar për 5-7 marsin që ndryshoi rrjedhat e historisë së Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Një vepër që lehtësisht do të përkthehej në gjuhët më të mëdha të botës. Do të shpërndahej si një mesazh se si ne shqiptarët në fund të shekullit 20-të ia dhamë lirisë, kësaj vlere universale njerëzore Adem Jasharin dhe familjen e tij dhe sa nderë do t’i bënim vetes e edhe njerëzimit nëse do të mund t’ia dhuronim edhe një vepër kulmore letërsie që për bazë do të kishte këtë sakrificë për lirinë të shkruar nga dora e një mjeshtri të letrave. Ia përmenda edhe bisedat me Muratin dhe dëshirën e familjes që kjo ngjarje të lartësohej nga pena e ndonjë mjeshtri të madh. Asnjëherë nuk e përmenda atë personalisht. Por aluzioni ishte i qartë. Dhe, intuita e tij prej shkrimtari, që sado që mosha 80 vjeçe kishte filluar ta lodhte, u ndez shpejt dhe e kapi se ku po e dërgoja bisedën. Dhe me një elegancë e thjeshtësi na tregoi se tani më e kishte ndalur shkrimin e veprave të reja. Sapo kishte mbushur 80 vjeç dhe më nuk e kishte freskinë e dikurshme. Se më nuk kishte forcë dhe fuqi t’u hynte projekteve të mëdha letrare. Më tha se çdo gjë që do të shohim se do të botohej në të ardhmen, janë materiale të mbetura nga e kaluara e të cilat është në proces përpunimi dhe përgatitjeje për botim. Muza e kishte lënë shkrimtarin e madh, ndonëse trupin e kishte ende në mesin tonë. U pikëllova edhe për humbjen e rastit, që do të mund të ishte ideal, po të realizohej pas luftës, por edhe se dëgjova lajmin e shterjes së frymëzimit, pa të cilin jeta e shkrimtarit vërtet fillon të mos ketë kuptim.
7. Ismail dhe Helena Kadarenë i takova edhe më 3 prill 2017. Më pritën në banesën e tyre në “Saint Michel”. Bisedë e këndshme si miq tani më të njohur. Kisha shkuar për ta ftuar të na vinte në Kosovë për Ditët e Diasporës që mbaheshin tradicionalisht më 1 dhe 2 gusht. Sigurisht kisha shkuar edhe për të këmbyer fjalë e për ta parë se si ishte me shëndet. Ajo që më kishte thënë një vit më parë dukej tani më një realitet i dukshëm. Ishte edhe më i goditur nga mosha fizikisht, ndonëse vazhdonte të kishte mendjen e kthjelltë. Në momentin kur e ftova, e kisha të qartë se ndonëse prerazi nuk më refuzoi, dhe e la një derë për të ardhur në Kosovë, do ta kishte të pamundur që në ditët valë të gushtit të vinte në Kosovë në atë gjendje fizike. Temën e vjetër, pengun tim të madh jetësor për veprën e tij të munguar, nuk ia hapa. Ai kishte qenë krejtësisht i sinqertë në takimin paraprak dhe ishte nisur ngadalë por pa kthim në rrugën e amshimit. Biseduam se çfarë po lexoj dhe ma dha një këshillë që do të mbetet përherë në kujtesën time. Ai, duke ma dhënë shembullin e tij personal, më tha “mendon ti se unë lexoj vetëm vepra të rënda, klasike e plotë filozofi?”. “Jo. Është e rëndësishme të lexojmë vazhdimisht, andaj edhe shpesh lexoj edhe gjëra më të lehta si biografi, eseistikë letrare, kujtime historike, intervista, shkencë të popullarizuar etj.” U ndjeva keq. Kaq e kaq njerëz i kisha ironizuar, qoftë edhe pa zë, për çfarë po lexojnë. Por edhe do t’i jam falënderues, sepse tani përpiqem të jam sa më pak gjykues e paragjykues rreth kësaj çështjeje. Vërtet, në kohët që po jetojmë, e rëndësishme është të vazhdohet të lexohet. Kjo këshillë nga biseda e fundit me të do të mbetet me mua deri në varr.
8. Ismail Kadare, pas shterimit të muzës, u shua edhe fizikisht. E humbi mundësinë e Nobelit, për të cilin më shumë ka pasur nevojë letërsia dhe kultura shqiptare sesa vetë ai, ndonëse me zell, gjatë e me intensitet kanë punuar kundër një pjesë e shqiptarëve smirëzinj. Çdo tetor që nga vitet 1988, 1989 deri vitin e kaluar me ankth e kam pritur lajmin për fituesin e Çmimit Nobel për letërsi, ndonëse viteve të kaluara, me rënien e cilësisë të pranuesve të Nobelit, më ra edhe shpresa. Sidoqoftë, tani, tetorët do të jenë me më pak ankth për mua personalisht. Dhe nuk e di, se kur do të arrijë letërsia shqipe të ofrojë një kandidat tjetër për Nobel. Por jeta është me befasi, dhe shqiptarët këto vitet e fundit kanë shpërthyer me talentin e vet në shumë fusha, andaj duhet të mbesim me shpresë.
9. Po i kthehem në fund edhe njëherë temës bosht të këtij shkrimi: a do t’i mungojë Kadaresë dhe letërsisë shqipe e botërore një vepër e madhe letërsie, për një ngjarje reale me elemente epike, atë të rënies së Adem Jasharit me familje. A e kemi humbur rastin me vdekjen e tij? Popujt krijojnë krijues, e gjeni në të gjitha fushat e krijimtarisë njerëzore. Shqiptarët kohëve të fundit kanë dhënë shembuj të jashtëzakonshëm nga letërsia e filozofia tek shkencat ekzakte e inteligjenca artificiale, nga muzika klasike tek ajo e popullarizuar, për të vazhduar me sportistë kulmor gjithandej. Krejt këto rezultate vijnë edhe mbi themelet e ngritura nga paraardhësit qoftë ata të të njëjtit komb, qoftë të njerëzimit në përgjithësi. Sigurisht edhe letërsia shqipe do të krijojë gjigantë të tjerë në të ardhmen që do ta trajtojnë sakrificën e Jasharëve. Madje vetë letërsi të tjera, do të mund ta marrin këtë motiv universal për të përjetësuar në letërsinë e përbotshme e të përbashkët të njerëzimit. Por një rast i artë i pas luftës, kur Kadareja ishte i fortë ende është humbur. Për shkak të dehjes sonë me lirinë, apo injorimit të tij të kësaj tematike? Më shumë besoj për shkak të parës.
Autori është kryetar i subjektit Lëvizja për Bashkim