Venezuela ka liruar një grup shtetasish të huaj që ishin burgosur në vend, njoftuan qeveritë e disa vendeve të premten, në një proces lirimesh që po ndodh pas kapjes së presidentit Nicolas Maduro nga forcat amerikane.
Ministri i Jashtëm i Çekisë, Petr Macinka, tha se një shtetas çek, i burgosur që nga viti 2024 me akuzën se kishte planifikuar vrasjen e Maduros dhe përmbysjen e qeverisë – akuza që ministria çekë e quajti “pa akuza dhe pa gjyq të drejtë” – është liruar së bashku me shtetas nga Irlanda, Rumania, Gjermania, Shqipëria, Ukraina dhe Holanda, raporton Reuters.
Macinka tha se lirimi u arrit pas “javësh negociatash intensive” dhe se Republika Çeke është e gatshme të rifillojë marrëdhëniet diplomatike me Venezuelën.
Ministri gjerman i Jashtëm, Johann Wadephul, përmendi në rrjetin X se lirimi i tre qytetarëve gjermanë është një “gjest drejt marrëdhënieve më konstruktive”. Ndërkohë, Holanda tha se ka liruar tre shtetas të saj, ndërsa Hungaria njoftoi lirimin e një qytetari të saj që ishte në një anije kërkimore.
Jorge Rodriguez, kryetari i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, dhe presidenti i ShBA-së, Donald Trump, kishin deklaruar se një numër i madh të burgosurish do të liroheshin pasi Shtetet e Bashkuara kapën Maduron në fillim të vitit.
Këto lirime vijnë ndërsa Venezuela ka deklaruar se ka liruar më shumë se 400 persona si pjesë e një iniciative të vazhdueshme, edhe pse organizatat për të drejtat e njeriut thonë se shifrat reale janë dukshëm më të ulëta. /Klankosova.tv










