NATO-ja po e jetëson një ndryshim të jashtëzakonshëm në zinxhirin e saj të komandave.
Aleanca Veri-Atlantike, ka njoftuar se aleatët u pajtuan për një shpërndarje të re të përgjegjësive të larta ushtarake brenda strukturës së Komandës, raporton Klan Kosova.
Me anë të kësaj, shtetet evropiane anëtare, përfshirë të rejat, marrin rol të spikatur në udhëheqësin ushtarake të Aleancës.
Pajtimi spikat me atë se amerikanët tani u lëshojnë rendin evropianëve në Komandën e Forcave të Përbashkëta në Napoli të Italisë, që do ta udhëheqin italianët.
Kurse Mbretëria e Bashkuar do marrë përsipër Komandën e Forcave të Përbashkëta të Norfolkut në Virgjinia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Të dyja komandat aktualisht udhëhiqen nga amerikanët. Ndërkohë, ajo e Forcave të Përbashkëta të Brunssum të Holandës, do udhëhiqet me sistemin e ndërrimit mes Gjermanisë dhe Polonisë.
Në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, thonë se marrja kaq e madhe e përgjegjësisë nga evropianët, është shenjë e mirë, dhe se nuk do të ketë reflektime në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.










