Supersfida e javës së parë të sezonit të ri të Premier League, mes Manchester United dhe Arsenal është mbyllur 0-1 për londinezët. “Topçinjtë” kanë gjetur avantazhin me Riccardo Calafiori, pas 13 minutave lojë, falë edhe një gafe të portierit vendas.
Gjatë ekzekutimit të një goditjeje këndi për londinezët, portieri i Man. United, Altay Bayındır, nuk grushton mirë topin dhe Calafiori përfiton nga kjo “dhuratë” dhe dërgon topin në rrjetë. Në minutën e 30-të, Man. United i afrohet golit, por goditja e Dorgu përplaset në shtyllën e djathtë. Pjesa e parë mbyllet 0-1 për Arsenal.
Në minutën e 60-të, Gyokeres lë fushën e lojës për Havertz. Një debutim për t’u harruar nga sulmuesi suedez, por jo dhe aq për fajin e tij, pasi i munguan furnizimet me topa. Kjo është hera e parë për të në 5 sezonet e fundit që nuk shënon dot në ndeshjen e parë të kampionatit.
Në minutën e 65-të, Ruben Amorim aktivizon blerjen e bujshme të fundit të United, Benjamin Sesko në vend të Mason Mount, por slloveni nuk arriti dot të bënte diferencën në fushë.
Në minutën e 73-të, Bryan Mbeumo i afrohet shumë golit të barazimit, por goditja me kokë e tij pas krosimit të Dorgu, ndalet në mënyrë të shkëlqyer nga David Raya. Rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Arsenal del me 3 pikë nga “Old Trafford” dhe e nis me këmbë të mbarë sezonin e ri.
The post Vendos goli i Calafiori-t, Arsenal del me 3 pikë nga “Old Trafford” (video) appeared first on Telesport.