Tre orë ka zgjatur seanca në Apelin e GJKKO për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Apeli i Gjykatës së Posaçme ka përfunduar seancën për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Vendimi do të shpallet nesër në orën 10:00.
Ai vijoi përplasjen e tij me Prokurorinë e Posaçme SPAK gjatë seancës në Apelin e GJKKO-së, ku parashtroi faktin se atij i janë përgjuar deri edhe telefonatat me familjarët.
Por, i ka kundërshtuar këto si prova të reja të paraqitura nga SPAK, duke theksuar se ato nuk përbëjnë elemente të reja të ligjshme.
Ndërsa ka kërkuar që seanca, të zhvillohet me dyer të hapura.
Veliaj ka përmendur faktin se përgjimet e bisedave të tij familjare, të cilat janë përdorur si prova, lidhen me intervistat e tij në media dhe interesimin për intervista në kanale televizive të rëndësishme.
Ndër të tjera, raportohet se ka kritikuar faktin që SPAK nuk ka marrë parasysh sulmet publike të Sali Berishës ndaj drejtësisë së re si prova të reja, duke u fokusuar vetëm në telefonatat dhe mesazhet e tij personale me familjen.
“Më izoluat 1 muaj në burg që të gjenit ‘prova të reja’. Saliu e ofendoi SPAK dhe e akuzoi si organizatë kriminale, çfarë e gjeti? Pse nuk u konsideruan prova të reja sulmet e Berishës ndaj SPAK?”, ka thënë Veliaj.
Ka mbrojtur gjithashtu publikimet e tija në media sociale, duke thënë se është ende kreu i Bashkisë Tiranë dhe çerek milioni banorë e kanë votuar për të qenë i tillë.
Seanca gjyqësore vazhdon dhe të tjera detaje priten në vijim.
Seanca për Veliajn ka nisur që paraditen e 11 marsit, por u shty më pas për mesditën e 12 marsit.
Mësohet se SPAK ka paraqitur prova të reja gjatë seancës të së martës, duke ndryshuar dinamikën e çështjes, për të cilat mbrojtja ligjore e Veliajt ka kërkuar kohë për t’u njohur.
Ndërkohë, bëhet me dije gjithashtu se vetë administratori i kryeqytetit nuk ka parashtruar ende argumentet e tij para Apelit të Posaçëm.
Më herët, avokati i Veliajt, Ermir Beta, ka parashtruar se pala mbrojtëse po kërkon lehtësimin e masës dhe shfuqizimin e arrestit me burg.
Ai ka kërkuar që Veliajt t’i jepet mundësia të dalë nga paraburgimi dhe argumentimi ka qenë se kryebashkiaku nuk përbën rrezik për prishjen e provave, as të intimidimit të dëshmitarëve, nëse lihet në gjendje të lirë.
Avokati amerikan
Më herët, avokati amerikan Joshua Roberts nuk është lejuar të hyjë në seancën e Apelit që po zhvillohet për kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.
Roberts mbërriti në kohë dhe u pa të hynte në godinën e Gjykatës së Posaçme, por ai nuk është lejuar të jetë pjesë e publikut vëzhgues në këtë seancë.
“Emri im është Joshua Roberts, jam partneri i një studioje ligjore amerikane që këshillon kryetarin (Erion) Veliaj dhe jemi në dijeni për arrestin e tij prej datës 10 shkurt”.
Me këtë fjali, u prezantua para mediave të pranishme, Joshua E. Roberts, i cili punon për studion ligjore Kasowitz Benson Torres, duke mos harruar të thoshte se vinte thjesht “në rolin e vëzhguesit”.
Fill pas kësaj, avokati nisi të listojë veçoritë e sistemit amerikan të drejtësisë, duke harruar në fakt se çështja e kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj është penale dhe puna e tij në studio është e fokusuar në “çështjet gjyqësore komplekse tregtare”.
Referuar faqes zyrtare të firmës ligjore, bëhet me dije se Roberts përfaqëson “firmat e kapitalit privat, institucionet financiare, korporatat e tregtuara publike, individë me vlerë të lartë neto, drejtues dhe anëtarë të bordit në mosmarrëveshje komplekse dhe me risk të lartë në gjykatat federale dhe shtetërore”.
“Jam këtu thjesht në rolin e vëzhguesit. Në Amerikë, sipas Kushtetutës dhe ligjit, akuzat dhe veprat penale ngrihen në bazën e një shkaku të arsyeshëm kur të jetë kryer një krim. Dhe qytetarët që përballen me akuza penale mund të ndalohen para gjyqit vetëm nëse paraqesin rrezik për shoqërinë”, deklaroi ndërkaq para mediave avokati “transaksional” amerikan.
Përmes një reagimi publik, vëllai i Erion Veliajt, Arbër Veliaj deklaroi se ishte ai “garanti financiar” për angazhimin e “një studioje ligjore amerikane”.
“Në këtë kontekst, sqaroj publikisht se jam unë garanti financiar për angazhimin e një studioje ligjore amerikane, e cila do të sigurojë konsulencën dhe strategjinë për mbrojtjen juridike të vëllait tim, dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranes, Erion Veliajt. Ky veprim përveçse në lidhjen time të pandashme me tim vëlla, bazohet në bindjen time të plotë për rëndësinë e mbrojtjes së të drejtës dhe të së vërtetës”, shkruan ai.
Seanca
Gjykata e Posaçme e Apelit regjistroi më herët kërkesën e ankimimit të avokatëve të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe katër personave të tjerë nën hetim për ndryshimin e masës së sigurisë.
Në një njoftim të Apelit njoftohet se shorti është hedhur më datë 4 mars, mbi ankimet e personave nën hetim E.V., E.A., M.P., Sh.F., G.S., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 7, datë 09.02.02025 dhe vendimit nr. 14, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal.
Trupi gjykues monokratik, referuar shortit, përbëhet nga gjyqtari Engert Pëllumbi.
Më herët, Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së për sekuestrimin e sendeve (përfshirë telefonin personal – ed.) të bashkëshortes së Veliaj, Ajola Xoxa.
Shqyrtimi i ankimit të Xoxës u bë gjithashtu nga gjyqtari Engert Pëllumbi, pas tërheqjes së gjyqtares Iliriana Olldashi.
Për Xoxën, është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa ajo kishte kërkuar më herët kthimin e telefonit të saj të sekuestruar gjatë hetimeve.
Veliaj – njëherazi bashkëshorti i saj – aktualisht ndodhet në “arrest me burg”.
Xoxës iu sekuestrua telefoni gjatë kontrolleve nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në banesën e saj më 6 dhjetor të vitit të kaluar.
Ndërtimi i ngjarjes
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të bastisnin rreth orës 14:00 zyrat e Bashkisë Tiranë më 10 shkurt.
Në duar mbanin një urdhër gjykate, të firmosur nga gjyqtari Erion Bani.
Ai ishte urdhëruar nga SPAK-u, dosje që po hetohet nga prokurori Ols Dado, për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Më vete, ata shoqëruan Veliajn nga dera që përdoret zakonisht për vizitat formale në administratën e kryeqytetit.
Pesë biznesmenë janë vendosur po ashtu nën masën e detyrimit të paraqitjes nga Prokuroria e Posaçme.
GJKKO-ja ka dhënë “detyrim paraqitje” për biznesmenët: Gentian Sula; Meriman Palushi; Fatmir Bektashi; Sokol Kryeziu; Shkëlqim Fusha.
Në pranga përfundoi edhe biznesmeni Elman Abule, i cili është i lidhur ngushtë me Veliajn.
Madje, SPAK zbuloi gjithashtu se po kryen hetime paraprake ndaj deputetes socialiste Klotilda Bushka.
SPAK doli me një njoftim zyrtar për shtyp rreth arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, duke sqaruar edhe arsyet.
Veliaj dyshohet se ka miratuar shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek disa subjekte tregtare, të lidhur ngushtë me të, përfaqësuesit e të cilëve janë përmendur më lart.
Erion Veliaj së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa “kanë ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm”, vëren fillimisht SPAK.
Përmes këtij të fundit, është synuar dhe është bërë e mundur, në praktikë, “marrja e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë përmes Veliajt, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme”.
SPAK-u shton se në të paktën dhjetë raste, krijohet “dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprimeve me natyrë korruptive” nga Veliaj, si edhe pastrim të produkteve të veprës penale.