Vendimi për rinumërim votash në 10 komuna: Mospërputhjet konfirmojnë “dështimin e centralizimit në Qendrat Komunale”

Verifikimi i vetëm 33 vendvotimeve ka nxjerrë në pah mospërputhje, me një diferencë prej mbi 2,200 votash nga rezultati real. Për Eugen Cakollin nga Instituti Demokratik, këto shifra janë dëshmi se centralizimi i numërimit në Qendrat Komunale “ka dështuar”, dhe se numërimi digjital mbetet e vetmja e ardhme e sigurt në këtë drejtim.

Për shkak të parregullsive të konstatuara gjatë përpunimit të të dhënave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve urdhëroi sot hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave për 914 pika votimi. Procesi është caktuar të fillojë këtë mbrëmje, në orën 18:00.

Shkaku kryesor i këtij vendimi buron nga një analizë e Sekretariatit, i cili krahasoi pamjet filmike nga qendrat komunale me fletëvotimet fizike. Nga një kampion provë prej 52 vendvotimesh (që përbën 2% të totalit), hetimi zbuloi se deri më 12 janar, në 33 raste shifrat e raportuara për kandidatët nuk përputheshin me realitetin brenda kutive.

Si rrjedhojë, KQZ vendosi rinumërim të plotë në 10 komuna ku mospërputhjet ishin më evidente: Ferizaj, Prizren, Skenderaj, Vushtrri, Kaçanik, Dragash, Leposaviq, Shtime, Mamushë dhe Ranillug.

Gjithashtu vendosi rinumërim të pjesshëm (10% e vendvotimeve) Për 28 komunat e mbetura, do të aplikohet një rishikim me kampionim. Kjo përfshin qendrat kryesore dhe komunat e tjera si: Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë e Jugut dhe e Veriut, Podujevë, Deçan, Gllogoc, Istog, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin-Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh dhe Kllokot.

Cakolli ka sqaruar se në disa prej komunave, dallimi në votat e kandidatëve shkon në qindra.

“Në disa komuna, dallimi në votat e kandidatëve (TË VETËM DY PARTIVE) shkon në qindra sosh, ndërsa Prizreni prin me mbi 700 vota dallim në vetëm dy vendvotime. Madje, ka raste kur për një kandidat, në një vendvotim të vetëm, pas verifikimit në QNR rezulton se janë shtuar mbi 100 vota.” – tha ai.

Ai vlerësoi se këto shifra nuk mund të justifikohen si “gabime të vogla njerëzore”. Përkundrazi, përhapja e gjerë gjeografike e këtyre rasteve tregon qartë, sipas tij, se “problemi është sistemik.

“Këto nuk janë diferenca që shpjegohen me “gabime të vogla njerëzore” – të cilat as ato nuk duhet toleruar. Kur ka kaq shumë devijime dhe kaq të përhapura gjeografikisht, kjo tregon qartë se problemi është sistemik.” – shkroi ai.

Sipas tij, burimi i këtij kaosi elektoral gjendet te modeli i numërimit. Ai vlerëson se vendimi për të centralizuar numërimin në Qendrat Komunale – larg vendvotimit fizik dhe me mbikëqyrje minimale – ka qenë i gabuar.

“Në një sistem me lista të hapura të kandidatëve, këto dallime mund të ndryshojnë renditjen e kandidatëve dhe, për pasojë, edhe emrat e deputetëve të ardhshëm të Kuvendit.

Dhe po, kjo situatë është pasojë direkte e centralizimit të numërimit në Qendrat Komunale, larg vendvotimit dhe me vëzhgim minimal. Shifrat që dolën sot janë argumenti më i fortë pse ky model ka qenë dhe mbetet i gabuar, dhe pse numërimi digjital është e ardhmja.”