Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar përkohësisht lëshimin e vizave të migrimit për shtetas nga disa vende të konsideruara me rrezik të lartë, në kuadër të një rishikimi të gjerë të politikave të migracionit dhe kritereve të përfitimit të ndihmave publike.
Departamenti amerikan i Shtetit të mërkurën dha lajmin se ka marrë vendim për pezullimin e përpunimit të vizave të migrantëve për qytetarët e 75 vendeve, përfshirë edhe Kosovën.
Lidhur me këtë vendim kanë folur për Front Online nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë.
Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Prishtinë tha për Front Online se vendimi u mor pasi Presidenti Trump ka bërë të qartë se emigrantët duhet të jenë financiarisht të pavarur për të mbrojtur përfitimet publike për qytetarët amerikanë.
“Departamenti po kryen një rishikim të plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve për të siguruar që imigrantët nga këto vende me rrezik të lartë nuk pritet të përdorin përfitimet publike në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në përgjigje.
Ambasada tha se Departamenti mori këtë masë bazuar në tregues që imigrantët nga këto vende kanë një rrezik të shtuar për të marrë përfitime publike në Shtetet e Bashkuara.
Ambasada sqaroi se kjo masë vlen vetëm për lëshimin e vizave për emigrantë dhe se ajo nuk vlen për vizat jo-imigrante, si ato për turistë, atletë, punonjës të kualifikuar dhe familjet e tyre.
Ish-ambasadori Dedaj: Vendimi i SHBA-së për vizat zbulon dështimin e qeverisë Kurti–Osmani
Ish-ambasadori dhe politikani, Gjergj Dedaj në një prononcim për “Front Online” ka folur ndaj vendimit të Administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e përpunimit të vizave për 75 shtete të botës, ku përfshihet edhe Kosova.
Sipas Dedajt, përfshirja e Kosovës në këtë listë është tregues i qartë i dështimit dhe degradimit të politikës së jashtme.
“Vendimi i Administratës së SHBA-ve për pezullimin e përpunimit të vizave, për 75 vende botërore i konfirmon kritikat e dështimit dhe degradimit të politikës së jashtme dhe diplomacisë së Kosovës në këto 5 vite të regjimit totalitar Kurti-Osmani”, tha Dedaj.
Ai vlerëson se ky vendim ka pasoja të drejtpërdrejta politike dhe ndikon negativisht në imazhin e Kosovës.
“Pasojat janë politike dhe ndikojnë negativisht në imazhin dhe reputacionin ndërkombëtar të RKS, kur dihet grumbulli i këtyre 75 shteteve jodemokratike ku gjendet edhe Kosova”, deklaroi Dedaj.
Dedaj shprehet se ky zhvillim po ndodh paralelisht me ndërprerjen e Dialogut Strategjik mes SHBA-së dhe Kosovës.
“Ky akt ndodhë krahas ndërprerjes së Dialogut Strategjik të SHBA ndaj Kosovës, gjëra të cilat flasin për dështimin e shtetit dhe të pushtetit në afirmimin e Kosovës e cila duket e rrezikuar dhe e degraduar në politikat dhe qarqet diplomatike ndërkombëtare”, shprehet ai.
Ai shton se situata bëhet edhe më shqetësuese kur merret parasysh fakti se Serbia nuk është përfshirë në këto masa nga SHBA-ja.
“Kur kësaj situate dhe këtij ndëshkimi dhe dështimi diplomatik ia shtojmë edhe faktin se Serbia nuk është nën këto masa ndëshkuese nga SHBA duhet ta ngrit alarmin e degradimit të Kosovës në raport ne partnerët kryesor të pavarësisë siç janë SHBA dhe dështimit të skajshëm të këtyre relacioneve diplomatike mes SHBA dhe Kosovës”, ka deklaruar Dedaj për “Front Online”.
Pezullimi i vizave, ish-zv-ministri i Jashtëm: Ky është moment për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës
Të mërkurën, SHBA-ja ka marr vendim për pezullimin e përpunimit të vizave për 75 vende, përfshirë Kosovën.
Lidhur me këtë, ka folur për “Front Online” ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Emanuel Demaj.
Demaj tha se ky vendim duhet parë si një masë administrative dhe sigurie, e lidhur me rishikime të brendshme, dhe jo si një vendim politik.
“Vendimi i SHBA-së për pezullimin e përkohshëm të përpunimit të vizave për një numër shtetesh, përfshirë edhe Kosovën, duhet parë si masë administrative dhe sigurie, që lidhet me rishikime të brendshme, dhe jo si vendim politik i drejtuar veçanërisht ndaj Kosovës”, thotë Demaj.
Ai shton se pasojat për qytetarët janë kryesisht vonesa procedurale.
“Pasojat për qytetarët janë kryesisht vonesa procedurale dhe jo ndalim i plotë i lëvizjes”, deklaroi ai.
Ish-zëvendësministri shpjegon se fakti që Serbia nuk është në listë lidhet me kritere teknike dhe jo domosdoshmërisht me raporte politike.
“Fakti që Serbia nuk është në listë lidhet me kritere teknike dhe vlerësime individuale të secilit shtet, dhe jo domosdoshmërisht me raporte politike”, tha Demaj.
Demaj shprehet se situata tregon se Kosova ka nevojë për angazhim më të madh institucional.
“Kjo situatë tregon se Kosova ka nevojë për angazhim më të madh institucional, koordinim më të mirë dhe komunikim më intensiv diplomatik, i cili po i mungon Kosovës. Ky moment duhet shfrytëzuar si shtysë për përmirësim të mekanizmave shtetërorë, forcim të diplomacisë dhe rritje të besueshmërisë ndërkombëtare në partneritet me SHBA”, ka deklaruar ai.
Mungesa e një reagimi të shpejtë dhe e një strategjie të qartë diplomatike, sipas Demajt, rrezikon që masa të tilla të përsëriten.
“Kjo situatë ngrit edhe pyetje të arsyeshme për nivelin e gatishmërisë dhe reagimit institucional të Kosovës në raport me vendime të rëndësishme ndërkombëtare. Mungesa e reagimit të shpejtë dhe e një strategjie të qartë diplomatike rrezikon që masa të tilla të përsëriten, kërkohet më shumë përgjegjësi, planifikim dhe veprim konkret nga institucionet për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe pozitën e shtetit në raport me partnerët strategjikë”, tha Demaj për “Front Online”.
Kryetar i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”: Vendimi i SHBA-së sinjal politik, jo gabim diplomatik amerikan
Një vendim i papritur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka prekur edhe Kosovën, e cila është përfshirë në mesin e 75 vendeve të tjera për të cilat është vendosur pezullimi i procesimit të vizave, si pjesë e masave të reja kundër emigracionit nga administrata e presidentit republikan Donald Trump.
Për këtë vendim ka reaguar Agim Rexhepi, kryetar i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, duke thënë për Front Online se ai nuk është as i rastësishëm dhe as armiqësor ndaj Kosovës, por buron nga politikat e brendshme amerikane të sigurisë dhe migracionit.
“Vendimi i SHBA-së sinjal politik, jo gabim diplomatik amerikan nuk është i rastësishëm dhe as armiqësor ndaj Kosovës. Ai buron nga politika të brendshme amerikane të sigurisë dhe migracionit, por fakti që Kosova është përfshirë në këtë listë tregon se ajo nuk ka arritur ta pozicionojë veten si përjashtim strategjik, ashtu siç do t’i takonte një aleati të dëshmuar”, tha ai.
Ai shtoi se aleanca me SHBA-në nuk është dekor historik, por marrëdhënie që kërkon angazhim të vazhdueshëm, duke vlerësuar se institucionet e Kosovës kanë dështuar të reagojnë me kohë.
“Aleanca me SHBA-në nuk është dekor historik, por marrëdhënie që kërkon angazhim ditor, prezencë politike dhe reagim në kohë. Në këtë aspekt, institucionet e Kosovës kanë dështuar të lexojnë ndryshimet e kursit politik në Washington”, tha Rexhepi.
Rexhepi tha për Front Online se qytetarët e Kosovës po paguajnë çmimin e neglizhencës institucionale, ndërsa po cënohet besimi se shteti di t’i mbrojë interesat e tyre në arenën ndërkombëtare.
“Qytetarët e Kosovës sot po e paguajnë çmimin e neglizhencës institucionale. Studentë, familje, biznese dhe profesionistë po përballen me pasiguri, bllokim dhe ndjenjë zhgënjimi. Por më shqetësuese është pasoja psikologjike dhe politike: u cenohet besimi se shteti di t’i mbrojë interesat e qytetarëve të vet në arenën ndërkombëtare”, tha ai.
Rexhepi komentoi edhe faktin që Serbia nuk është përfshirë në këtë listë, duke thënë se kjo nuk është triumf i politikës serbe, por pasqyrë e mungesës së lobimit të strukturuar të Kosovës.
“Fakti që Serbia nuk është përfshirë në këtë listë nuk është triumf i politikës serbe, por pasqyrë e qartë e mungesës sonë të lobimit të strukturuar. Serbia, pavarësisht retorikës së saj anti perëndimore, ka investuar vazhdimisht në: lobim profesional, komunikim strategjik, prezencë të qëndrueshme në qendrat vendimmarrëse”, tha Rexhepi.
Ai tha se ndërkohë Kosova ka vepruar me vetëkënaqësi politike, duke besuar se miqësia historike zëvendëson strategjinë.
“Ndërkohë, Kosova ka vepruar me vetëkënaqësi politike, duke besuar se miqësia historike zëvendëson strategjinë. Në diplomaci, mosveprimi është gjithmonë veprim kundër vetes”, shtoi ai.
Rexhepi tha se deklarata e tij duhet të lexohet edhe nga institucionet, si thirrje për veprim urgjent.
Rexhepi tha se vendimi nuk e prish miqësinë Kosovë–SHBA, por tregon se aleanca pa strategji është iluzion.
Ai shtoi se Kosova duhet të riformatojë diplomacinë, të aktivizojë diasporën dhe të fokusohet te interesat konkrete./Front Online










