Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se do të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë me qëllim të zbatimit të aktgjykimit të fundit nga Gjykata Kushtetuese.
Kështu, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe anëtarja e VV’së, Albulena Haxhiu e cila do jenë në listën e për deputetë e tjetri si kandidati për kryeministër, do dërgohen për verifikim në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Sipas vendimit të fundit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli e shumë tjerë të dënuar për vepra penale edhe me kusht nuk do të mund të kandidojnë në zgjedhjet që do mbahen në janar apo shkurt të vitit të ardhshëm, kështu të paktën kanë thënë njohësit e çështjeve të drejtësisë dhe që interpretojnë Kushtetutën e vendit.
Në vendimin e 21 dhjetorit, Kushtetuesja tha se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti ishte zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, pasi për të kishte votuar Etem Arifi, ndaj të cilit kishte një dënim të shkallës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”. Ai është i dënuar me një vit e tre muaj burgim.
Kushtetuesja argumentoi se asnjë person që është i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, “nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.
Më 2018, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi ishin dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e kuvendit.
Lajmin se listat me emrat e kandidatëve për deputetë do të dërgohen edhe në pesë institucione të tjera përveç Këshillit Gjyqësor të Kosovës, e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.
“ Me qëllim të zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme do të bashkëpunojë me institucione të tjera të cilat kanë rolin e tyre në procesin e certifikimit të kandidatëve. KQZ do të dërgojë listat në gjashtë institucione. Në Këshill Gjyqësor të Kosovës, në PZAP, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Ministrinë e Jashtme, në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Agjencinë e Kosovës për Intelegjencë. Kërkesë me qëllim për verifikim të kandidatëve sipas nenit 29 të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme. Kjo kërkesë nga ana e KQZ-së do të bëhet më së largu deri me datën 18 janar, ndërkaq përgjigje nga këto institucione presim deri më datë 20 janar”, tha Elezi.