Vendimi i Komerciales, Lidhja e Bizneseve kërkon që politika të qëndrojë larg drejtësisë

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Komerciale në lidhje me pronën e kontestuar në qendër të Prishtinës në pronësi të Ndërmarrjes Publike Banesore.

Përmes një komunikate, Lidhja e Bizneseve ka kërkuar që të ndalet presioni politik mbi drejtësinë.

“Të ndalet presioni politik mbi drejtësinë – rrezikohet besimi në ekonomi dhe klima e të bërit biznes Si Lidhje e Bizneseve të Kosovës, shprehim shqetësimin tonë lidhur me zhvillimet e fundit që ndërlidhen me vendimin gjyqësor për dëmshpërblimin prej mbi 32 milionë eurosh. Raste të tilla, që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin publik dhe në klimën e të bërit biznes, kërkojnë transparencë të plotë, profesionalizëm të lartë dhe trajtim të kujdesshëm institucional”, thuhet në reagimin e tyre.

Lidhja e Bizneseve ka theksuar se sistemi i drejtësisë duhet të funksionojë i pavarur dhe i lirë nga çdo ndërhyrje politike.

Sipas tyre, komuniteti i bizneseve ka nevojë për siguri juridike dhe vendimmarrje të drejtë.

“Është thelbësore që sistemi i drejtësisë të funksionojë i pavarur dhe i lirë nga çdo ndërhyrje politike. Vendimet e drejtësisë nuk duhet të politizohen, ndërsa çdo presion i jashtëm cenon besimin në institucione dhe krijon pasiguri për sektorin privat. Gjithashtu, është me rëndësi të veçantë që në diskursin publik të ruhet integriteti dhe imazhi i kompanive, duke shmangur paragjykimet dhe dëmtimin e reputacionit të bizneseve që operojnë në përputhje me ligjin. Komuniteti i bizneseve ka nevojë për siguri juridike, vendimmarrje të drejtë dhe një ambient të qëndrueshëm, ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë. Prandaj, bëjmë thirrje që ky rast të trajtohet me përgjegjësi të plotë nga të gjitha instancat përkatëse, ndërsa akterët politikë të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që mund të interpretohen si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Vetëm përmes respektimit të shtetit ligjor mund të ndërtojmë një ekonomi të fortë dhe një klimë të besueshme për investime”, thuhet tutje në komunikatën e LBK-së.