Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Gruda: Afati 30-ditor për presidentin është i detyrueshëm

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth çështjes së presidentit.

Gruda ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka përcaktuar qartë tri çështje kryesore.

“Afati 30-ditor për zgjedhjen e Presidentit para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual është obligues dhe detyrues”, ka shkruar Gruda duke shtuar se ky afat ka qenë gjithmonë pikë kyçe e diskutimeve. Së dyti përcaktohet se në rast të shkeljes së afatit 30-ditor, Kuvendi shpërndahet automatikisht ex constitutione, pa pasur nevojë për ndonjë dekret presidencial. Gjykata ka parashikuar një afat shtesë prej 34 ditësh për rastin specifik që Kuvendi u konstituua më 11 shkurt dhe nuk kishte në dispozicion 60 ditë të plota për procedurën e zgjedhjes së Presidentit”, shkroi ai.

Deputeti i PDK-së nënvizon se afati 30-ditor nuk është zhvleftësuar, por është marrë parasysh në kuadër të një situate të veçantë, duke reflektuar vonesën në konstituimin e Kuvendit.