Naser Avdyli, vëllai i deputetit të zgjedhur Haxhi Avdyli nga Lista e Vetëvendosjes, para rreth dy javësh ka plagosur nipin e tij, djalin e Haxhiut, me një armë ilegale. Rasti dyshohet se ndodhi aksidentalisht, por megjithatë për këtë incident nuk njoftoi Policia, as në raportin 24 orësh e as me ndonjë njoftim të veçantë.
Prokuroria Themelore në Prizren tashmë e ka konfirmuar rastin dhe Sinjali sjellë detajet.
Bazuar në informacionet që posedon Gazeta Sinjali, incidenti ka ndodhur më 7 mars, kur i dyshuari Naser Avdyli qëlloi aksidentalisht me një pushkë ajrore nipin e tij.
Fatmirësisht, viktima shpëtoi pa pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa Policia në Prizren u njoftua për rastin.
Nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se lidhur me këtë rast është iniciuar hetimi ndaj të dyshuarit në drejtim të dy veprave penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Arma e përdorur nga i dyshuari është sekuestruar, por që siç duket i njëjti nuk është dërguar në mbajtje lidhur me rastin.
“Referuar kërkesës tuaj, ju njoftojmë se lidhur me rastin prokurori i çështjes pasi që ka marrë informatën nga policia dhe ka siguruar të gjitha provat materiale, ku në bazë të tyre bëhej fjalë për plagosje aksidentale me pushkë ajrore, ka inicuar rast për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Lidhur me këtë rast është sekuestruar pushka ajrore.
Aktualisht, rasti është në punë dhe është në fazën e mbledhjes dhe grumbullimit të provave relevante, të cilat do t’i kontribuojnë ndriçimit të plotë të këtij rasti.”
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata