LDK ka nisur fushatën zgjedhore nga Podujeva, qyteti qe deri pak muajsh ka qenë bastion i pathyeshëm i saj.
Kryetari i degës së këtij subjekti, Agim Veliu, është shprehur se më 14 shkurt, LDK do të dalë e para në këtë komunë, njofton KlanKosova.tv.
“14 shkurti do të jetë ditë historike dhe ditë e rikthimit të LDK-së në Llap. Llapi dhe LDK janë të pandashme. Nuk mund të frymojnë as jetojnë pa njëra-tjetrën. Alternativa për këto zgjedhje është 132. Në zgjedhjet e fundit të gjithë janë bërë kundër nesh dhe përkohësisht e kanë marrë pozitën e kryetarit. Do t’i heqim prej aty me votën e lirë dhe demokratike të llapjanëve”, është shprehur Veliu.
“LDK ka kandidatin më të mirë për kryeministër, Avdullah Hoti, një figurë e pastër, profesionale, ekspert eminent i ekonomisë dhe me përvojë në institucione – njeri i pranueshëm në të gjitha kancelaritë perëndimore që ia ktheu autoritetin e nëpërkëmbur shtetit të Kosovës. Kur Hoti erdhi në krye të Qeverisë, Kosova vuante pasojat e sanksionet amerikane për shkak të politikave që ndiqte kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti”.
Veliu ka thënë se Vetëvendosje po e do pushtetin “krejt dhe drejt” për ta çuar vendin në diktaturë.
“E duan krejt pushtetin, duan ta “çkapin” për ta kapur fortë dhe për ta instaluar diktaturën sipas shembullit koreanveriror. Nuk do të ndodhë kjo sepse populli tepër gjatë ka vuajtur nga regjime e diktatura marksiste. LDK ka dëshmuar se është në anën e drejtë të historisë. Do t’i fitojmë zgjedhjet në gjithë Kosovën, sepse qytetarët e kuptuan demagogjinë e rrejshme”.
Veliu ka thumbuar edhe ish kandidaten e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e kaluara, Vjosa Osmani.
“LDK sa më shumë që goditet bëhet më e fortë. Kjo është kimia e funksionimit të saj dhe me këtë praktikë. “E hanin bukën e shtëpisë dhe i bënin argatin kojshisë” thotë një fjalë e urtë popullore. Ata që kanë ndjekur këtë rrugë kanë përfunduar në hirin e historisë”.