,

Veliu e pranon se e gjuajti me ujë Xhafer Gashin – Abdixhikun e quan “manipulator”

Për procesin zgjedhor brenda LDK-së në Llap është deklaruar sot me një postim të gjatë ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu.

Ky i fundit, tha se Kuvendi Zgjedhor atje, ishte “farsë zgjedhore” e drigjuar nga kryetari i degës, Ekrem Hyseni.

“Kuvendi Zgjedhor i Degës nisi me shkelje të Rregullores së punës, sepse s’kishte si të ndodhte ndryshe. Për shkeljen e fundit të Rregullores, kryetari i deleguar nga Lumiri, kishte përkrahjen edhe të shumicës së delegatëve, që ishin ulur aty. E shumica ishte deleguar nga takime “zgjedhore” të mbajtura nëpër kafehane e strehë objektesh”, shkroi Veliu.

Në lidhje me konfliktin me kryetarin e Obiliqit, Xhafer Gashi, Veliu ka thënë se i ka hedhur ujë atij, siç thotë ai, për t’ia bërë me dije opinionit rolin e tij në manipulimin e procesit zgjedhor.

Statusi i plotë i Agim Veliut:

Një proces zgjedhor brenda Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Degën e Podujevës ka kulmuar me Kuvendin Zgjedhor, ku u konfirmua e gjithë farsa zgjedhore e dirigjuar nga kryetari i degës dhe disa argatë të tij.

Kuvendi Zgjedhor i Degës nisi me shkelje të Rregullores së punës, sepse s’kishte si të ndodhte ndryshe. Për shkeljen e fundit të Rregullores, kryetari i deleguar nga Lumiri, kishte përkrahjen edhe të shumicës së delegatëve, që ishin ulur aty. E shumica ishte deleguar nga takime “zgjedhore” të mbajtura nëpër kafehane e strehë objektesh.

U deleguan nga tubime “zgjedhore të nëndegëve” të thirrura edhe nga militantë të partive të tjera, pa dijeninë e kryetarëve të nëndegëve të LDK-së.

Rëndësi kishte që argatët e kryetarit të Lumirit, me miratimin e kumbarës Xhafer Gashi, të mbushnin procesverbalet dhe të mblidhnin nënshkrimet e duhura që “doku” të sigurojë numrat.

Aspak i habitur me veprimet e Lumirit dhe kryeargatit të tij në Llap. Por, pak i befasuar me misionin e ish-luftëtarit të UÇK-së që të bëhet kumbar i vrasjes së demokracisë në Llap, duke i kontribuar përligjjes së manipulimit të procesit zgjedhor

Duke qenë pjesë e Kuvendit Zgjedhor, nuk munda e të mos dal në foltore që t’ua numëroj të gjitha parregullsitë, shkeljet, improvizimet dhe manipulimet e procesit zgjedhor, pjesë e të cilave ishin shumica që ishin në atë sallë, bashkë me miratuesin Xhafer Gashi.

Pas përfundimit të fjalës kam lëshuar sallën dhe në dalje kam bërë një veprim politik simbolik, duke i hedhur pak ujë Xhaferit, por jo për ta flladitur nga zhegitja siç ka thënë ai, as për t’ia pastruar fytyrën, por për t’ia bërë me dije atij dhe opinionit për rolin dhe hisen e tij në manipulimin e krejt procesit zgjedhor.

Prandaj, të kota janë përpjekjet e tij hipokrite që të mashtrojë opinionin sikur gjithçka ishte në rregull.

Xhafer, siç e di ti, i di edhe anëtarësia e çdo nëndege të gjitha manipulimet që i keni bërë. Lavdata mund të marrësh vetëm nga Lumiri dhe dora e zgjatur e tij në Podujevë.

Një ditë më vonë i kryemanipulatori i akomoduar në krye të partisë, paska mbledhur në kabinet argatët e tij të ngarkuar me misionin për ta defaktorizuar LDK-në në Llap, për ta festuar hapin e dytë drejt dërgimit të partisë në humnerë.

Kreu i manipulimeve paska thënë se Llapi po kthehet si bastion burimor i Lidhjes.

E paska thënë një të vërtetë të madhe për bastionin, por Llapi nuk po rikthehet në bastion të LDK-së. Në platformën shkatërruese të LDK-së dhe gjithçka që lidhet me Rugovizmin dhe vlerat e mirëfillta, Lumiri e kishte Llapin në krye të agjendës së tij.

Pra qëllimi është që Llapin ta bëjë bastion të Lidhjes së të keqes, Lidhjes së manipulatorëve e argatëve të djallit.

Për realizimin e projektit anti-LDK e anti-rugovizëm Lumirit nuk i mjaftuan disa bashkëmendimtarë, që i gjeti brenda shtëpisë së madhe të LDK-së, por iu desh të importojë edhe disa xhafera.

Lumir, ti dhe xhaferat e tu, të martën e 21 qershorit jeni ekzaltuar, duke dashur të kremtoni fundin LDK-së në Llap. Por, llogaritë i keni shumë të gabuara.

Po ju siguroj se misioni juaj është i dështuar.

Lidhja Demokratike dhe Rugovizmi i kanë rrënjët e thella në Llap.

Related Posts