Dy turiste kroate janë shpëtuar në Velipojë pas një operacioni të përbashkët mes Policisë Shqiptare dhe asaj Malazeze, pasi u rrezikuan nga dallgët e mëdha në det.
Policia e Shtetit njofton se ngjarja ndodhi në Plazhin e Pulajve, ku shtetasi francez B. D. sinjalizoi autoritetet për ndihmë, pasi dy turistet kroate, I. K. dhe I. Sh., po largoheshin drejt thellësisë së detit me një lundër që nuk mund ta kontrollonin.
Pas alarmit, Policia e Velipojës, në bashkëpunim me Postën Kufitare dhe Policinë Malazeze, ndërhyri menjëherë.
Me ndihmën e një helikopteri dhe një mjeti lundrues të Policisë Malazeze, turistet u shpëtuan dhe u transportuan për ndihmë mjekësore në Ulqin. Fatmirësisht, ato janë jashtë rrezikut për jetën.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe Drejtoria për Kufirin dhe Migracionin falënderuan Policinë Malazeze për reagimin në kohë dhe ndihmën e dhënë në këtë operacion shpëtimi.