Pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sikurse edhe zyrtarëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës, nuk u janë paguar orët shtesë.
Pjesëtarëve të këtyre kategorive, në llogari u kanë dalë vetëm pagat bazë.
Ky informacion më vonë u konfirmua edhe zyrtarisht, fillimisht nga Sindikata e Policisë së Kosovës, e më pas edhe nga Ministria e Financave.
Ndërkaq sot, një burim për Klankosova.tv pohoi se as zjarrfikësve të qytetit të Gjilanit nuk u kanë dalë të hollat për punën shtesë që kanë bërë.
“Zjarrfikësit e Gjilanit nuk i kemi marrë shtesat e ndërrimit të natës, orët jashtë orarit dhe festat që na takojnë me ligj”, ka pohuar ky burim.
Për këtë, Klankosova.tv ka kontaktuar me kryetarin e Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, i cili ka konfirmuar se shtesat për muajin mars nuk u kanë dalë një pjese të madhe të zjarrfikësve në të gjithë vendin.
“Shumica dërrmuese e zjarrfikësve në komuna të vendit nuk janë të paguar për shtesat e tyre. Ka disa komuna që ua paguajnë shtesat. Por ka edhe disa komuna që nuk ua paguajnë shtesat”, ka thënë Beka për Klankosova.tv.
Sipas tij, ka zjarrfikës nëpër disa komuna të cilëve nuk u janë paguar shtesat madje as për vitin 2023 e as për 2024.
Mbrëmë, Ministria e Financave reagoi për mos-ekzekutimin e shtesave për disa kategori.
Sipas MF-së, përgjegjësia mbi përgatitjen e listave të pagave, e njëkohësisht edhe sigurimin se shuma e urdhëruar për pagesë është brenda kufijve buxhetorë të miratuar në ligjin për ndarje buxhetore, i takon secilës organizatë buxhetore përkatëse.
“U takon organizatave buxhetore përkatëse që të planifikojnë buxhetin vjetor nëpër muaj, dhe të sigurohen se kanë buxhetin e mjaftueshëm kur miratojnë shtesa tjera mbi pagën bazë. Çdo tejkalim i ndarjes buxhetore proporcionale mujore, mund të rezultojë në situata ku bëhet i pamundur ekzekutimi i plotë”, thuhet në reagim, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, MFPT-ja tha se Thesari ka njoftuar me kohë organizatat buxhetore që të sigurohen se janë brenda buxhetit.
“MFPT edhe njëherë shpreh gatishmërinë që të ofrojë mbështetje për të gjitha organizatat buxhetore që ato të bëjnë planifikimet e duhura dhe të sakta, çdoherë në pajtim me legjislacionin në fuqi, ashtu që të tejkalohet kjo situatë për muajt në vijim dhe mundi e puna të kompensohet përkitazi për të gjithë ata që kanë punuar”, thuhet më tej në reagim.