Në Kosovë llogariten 7 komuna të mëdha: Prishtina, Peja, Gjakova, Prizreni, Gjilani, Mitrovica dhe Ferizaj.
Gara zgjedhore në këto komuna është vazhdimisht interesante, me rezultate që shpesh dinë të befasojnë.
Kështu ndodhi edhe në zgjedhjet e sotme, të 12 tetorit, kur janë numëruar shumica e votave në shumicën prej komunave, raporton Klankosova.tv.
Kryeqyteti po shkon në balotazh mes Përparim Ramës së LDK-së dhe Hajrulla Çekos së LVV-së.
I pari ka marrë besimin e 33,75% të qytetarëve kur janë numëruar pak më shumë se 85% të votave.
Kurse Çeko, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, ka mbledhur 32,96%.
Kandidati i AAK-së për kryetar të Gjakovës, Ardian Gjini, duket se do t’i duhet të bëjë edhe një herë fushatë.
Kjo pasi sipas rezultateve preliminare, Gjini ka marrë 47,26% të votave kur janë procesuar gati 96% të votave.
Pas tij është Ardian Gola i LVV-së me 33,74% të votave.
Por, pos tij, në balotazh do të shkojë edhe komuna e Gjilanit pasi as atje, kryetari aktual Alban Hyseni i LVV-së nuk arriti të vuloste fitoren “me të parën”.
Kur janë numëruar 99,25% të votave, Hyseni del të ketë marrë besimin e 49,84% të gjilanasve.
I dyti në listë është Arbër Ismajli me 34,15%.
Mitrovica është po ashtu duke shkuar drejt balotazhit mes Arian Tahirit të PDK-së dhe Faton Pecit të LVV-së.
Tahiri ka marrë 48,07% të votave, kurse Peci 47,66%.
Në Pejë, deri më tani janë numëruar 97,14% të votave, kurse nga to Gazmend Muhaxheri ka marrë besimin e 46,11% të qytetarëve.
Ai ndiqet nga Taulant Kelmendi i LDK-së me 28,13%.
Balotazh do të ketë edhe në Prizren mes PDK-së dhe LVV-së.
Kryetari aktual, Shaqir Totaj i PDK-së ka mbledhur 41,92% të votave kur janë numëruar gjithsejtë 91,10% nga vendvotimet.
Ai pasohet nga Artan Abrashi i LVV-së me 29,87% të votave.
E i vetmi që e kreu punën me të parë duket se është Agim Aliu i PDK-së në Ferizaj, i cili nga rezultatet preliminare ka siguruar 56,32% të votave, kur janë numëruar mbi 94% të fletëvotimeve.
I dyti doli Enver Haliti i LVV-së me 28,54% të votave.
Kujtojmë se këto janë rezultate preliminare të publikuara nga KQZ-ja. /Klankosova.tv
The post Veç një nga 7 komunat e mëdha e kreu me të parën appeared first on Klan Kosova.