Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se vazhdon afati për partitë politike të regjistruara për të informuar institucionin nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të planifikuara për 28 dhjetor 2025, përmes koalicioneve.
Sipas Valmir Elezit, zëdhënës i KQZ-së, periudha e njoftimit ka filluar më 24 nëntor dhe do të përfundojë më 30 nëntor 2025.
Deri më tani, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike ka pranuar një njoftim për formimin e një koalicioni, përbërë nga partitë Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB).
KQZ thekson se një koalicion mund të formohet nga së paku dy parti, dhe se një parti e certifikuar në një koalicion nuk mund të tërhiqet deri në certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve. Gjithashtu, partitë anëtare të një koalicioni nuk mund të marrin pjesë si parti të veçanta apo në koalicione të tjera në të njëjtat zgjedhje.
“Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike. Partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jete certifikuar deri sa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ. Gjithashtu partia politike e cila është anëtare e koalicionit nuk mund të marr pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo edhe si parti e veçantë në të njëjtat zgjedhje”, tha Elezi.











