Shërbimet ushtarake të sigurisë të Serbisë dhe BIA i kanë dorëzuar presidentit të Serbisë një raport mbi vdekjen e dyshimtë të Radomir Kurtiqit, përfaqësues i “Jugoimport SDPR” në Moskë.
Siç raporton gazeta serbe “Blic”, vdekja ka ndodhur më 17 nëntor 2025, në një rrugë të Moskës.
Autoritetet serbe kanë pritur deri më sot raportet forenzike nga pala ruse, të cilat ende nuk janë dorëzuar.
Radomir Kurtiq ndodhej në mandatin e tij të dytë si përfaqësues i “Jugoimport SDPR” në Moskë. Një komision i kësaj kompanie ka vizituar zyrat në Moskë dhe ka konstatuar mungesën e një numri të madh dokumentesh, si dhe hard-disqeve të kompjuterëve.
Organet hetuese ruse nuk kanë ofruar asnjë informacion zyrtar për rastin ndaj ambasadës së Serbisë dhe përfaqësisë së “Jugoimport SDPR” në Moskë, as ndaj shërbimeve të sigurisë në Serbi.
Presidenti i Serbisë, në një takim me përfaqësues të shërbimeve të sigurisë dhe të “Jugoimport SDPR”, ka theksuar se askush nuk duhet fajësuar pa prova të forta, por se duhet kërkuar me këmbëngulje sigurimi i të gjitha informacioneve të nevojshme nga institucionet dhe shërbimet shtetërore të sigurisë së Rusisë.











