Vdekja e turistit anglez në Durrës, Policia arreston pronarin e motorëve të ujit

Policia e Durrësit ka vënë në pranga ofruesin e jetskive në plazh, pasi një ditë më parë humbi jetën një turist anglez.

Sipas informacioneve për A2 CNN ai ushtronte aktivitetin e motoskive pa dokumentacion të plotë dhe nuk i ka siguruar veshjet e sigurisë përdoruesve të mjeteve të ujit.

Sipas policisë, turistët që kishin ardhur për pushime në Shqipëri, morën motorët e ujit dhe kryen manovra shpejtësie në det, jo shumë larg bregut. Gjatë manovrave, dy prej tyre ranë nga jetski, ndërsa skena u vu re nga pushuesit në breg, të cilët njoftuan policinë.

Një shtetas anglez 34-vjeçar, humbi jetën në këtë incident, ndërsa një 31-vjeçare fatmirësisht shpëtoi.

Dyshimet fillestare për vdekje nga hipotermia janë përjashtuar, pasi turistët qëndruan pak minuta në ujë. Megjithatë, ende pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e vërtetë të vdekjes, ndërkohë që nuk përjashtohet as mundësia që ai të ketë pësuar arrest kardiak për shkak të lodhjes gjatë tentativës për shpëtim nga mbytja.