Vdekja e të riut si pasojë e lëndimeve në vendin e punës, Prokuroria: Hetimet për këtë rast kanë nisur

Gazeta Sinjali ka raportuar sot për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur ku si pasojë e lëndimeve të marra në vendin e punës, një 21-vjeçar ka humbur jetën dje në QKUK.

Sinjali ka mësuar se bëhet fjalë për Bujar Zekën, që ishte duke punuar në fabrikën e tullave “IMN Dukagjini” në rrugën “Gjergj Sokoli”, kur u lëndua rëndë dhe u transportua fillimisht në emergjencën e Gjakovës, e më pas në QKUK.

Derisa, për këtë rast, Prokuroria Themelore në Gjakovë u deklarua se hetimet për këtë rast kanë nisur dhe se organet përkatëse janë angazhuar për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML). Prokurori i Shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast”.