Vdekja e katërvjeçares, KOMF-i: Dyshohet për mospërgjegjësi mjekësore

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka reaguar pas incidentit tragjik të ndodhur dje në Gjakovë, i cili përfundoi me vdekjen e një vajze katër vjeçare.

KOMF-i tha se kjo ngjarje e paprecedent ngre pikëpyetje serioze për përmbushjen e përgjegjësive njerëzore, mjekësorë dhe etike të profesionistëve të kujdesit shëndetësor.

“Sipas raportimeve dhe dyshimeve të ngritura nga prindërit e vajzës të cilat janë transmetuar në media, e ndjera dyshohet se ka pësuar një sulm nga dy fëmijë të tjerë, duke u goditur me forcë në pjesën e shpinës dhe gjoksit, gjë që ka çuar edhe në rrëzimin e saj në rrugë”.

“Me gjithë gjendjen e rënduar të fëmijës, prindërit janë shprehur se përgjigja mjekësore ndaj gjendjes së saj ka qenë e pamjaftueshme. Ata pretendojnë se gjatë ditës së djeshme kanë kërkuar disa herë ndihmë mjekësore për vajzën e tyre, por kanë marrë vetëm disa këshilla sipërfaqësore nga ekipi mjekësor, duke nënvlerësuar tragjikisht ashpërsinë e gjendjes së saj”, thuhet në reagimin e KOMF-it, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, në reagim thuhet se sipas prindërve, vajza nuk ka marrë një ekzaminim të plotë mjekësor dhe trajtimi i duhur i saj është neglizhuar duke shkaktuar fatalitet, gjë që sipas tyre, ngre shqetësim dhe pikëpyetje të thella në lidhje me etikën profesionale të personelit mjekësor.

“Nisur nga kjo ngjarje e rëndë, KOMF bën thirrje që institucionet përgjegjëse në përmbushje të mandatit të tyre, të trajtojnë me prioritet absolut rastin dhe të ndërmarrin në mënyrë të menjëhershme veprimet dhe masat e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në reagim.

Më tej, KOMF-i tha se kërkon vëmendje të menjëhershme institucionale ndaj neglizhencës së supozuar mjekësore dhe pasojave të saj fatale.

“Kërkojmë nga autoritetet përkatëse që të kryejnë një hetim të plotë dhe transparent për praktikat mjekësore të ndjekura në këtë rast, duke siguruar llogaridhënie të plotë nga institucionet lokale”.

“Kërkojmë zbatimin e plotë të legjislacionit në fuqi dhe ndërmarrjen e të gjitha masave sipas rezultateve të hetimit, për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen”, thuhet në reagim të KOMF-it.

Related Posts