Vdekja e Agon Zejnullahut, Bekë Berisha kërkon hetim urgjent

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka reaguar për vdekjen e Agon Zejnullahut, 27-vjeçarit nga Lipjani.

Janë ngritur shqetësime, madje edhe nga familja e të ndjerit që ai vdiq pasi u rrah nga Policia e Kosovës.

Berisha ka kërkuar hetim të pavarur dhe transperent për këtë rast.

Postimi i plotë:

Reagim

Me dhimbje dhe shqetësim të thellë mora lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të të riut Agon Zejnullahu në Lipjan, në rrethana që ngrisin shumë pikëpyetje dhe kërkojnë përgjigje të menjëhershme.

Respekti për jetën e njeriut është themeli i çdo rendi demokratik dhe ligjor. Askush nuk është mbi ligjin, as qytetari, as polici.

Kërkoj urgjentisht:

Hetim të pavarur dhe transparent nga organet përkatëse, përfshirë IPK-në dhe Prokurorinë e Shtetit;

Zbulimin e plotë të rrethanave që çuan në këtë tragjedi;

Ndëshkimin e kujtdo që ka tejkaluar kompetencat apo ka vepruar në kundërshtim me ligjin.

Ngushëllime të sinqerta familjes Zejnullahu. Dhimbja juaj sot është dhimbje e të gjithëve. Ju siguroj se nuk do të lejojmë që kjo çështje të mbulohet me heshtje. Drejtësia duhet të vihet në vend!

Beke Berisha

Deputet i Kuvendit të Kosovës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)