Vdekja e 27-vjeçarit, Ramadani: Policët e dyshuar urgjentisht të arrestohen, jo veç të suspendohen

Eksperti i sigurisë, Burim Ramadani, ka dënuar ashpër sjelljen e zyrtarëve policorë pas vdekjes së një të riu në rrethana të dyshimta në rrugën “Haradin Bajrami” në Prishtinë. Ai kërkoi arrestimin e menjëhershëm të dy policëve të përfshirë në incident, duke e quajtur “të papranueshme” logjikën e “Shtetit Policor”.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, viktima me inicialet A.Z. – i identifikuar publikisht si Agon Zejnullahu – ishte në gjendje të dehur dhe po sulmonte automjete dhe kalimtarë. Policia ndërhyri për ta vënë nën kontroll dhe, siç thuhet në komunikatë, pasi iu ofrua ndihma e parë, u konstatua vdekja e tij.

Ramadani bëri thirrje për veprime konkrete nga autoritetet:
Policët e dyshuar urgjentisht të arrestohen, jo veç të suspendohen! Çka është kjo masë administrative e suspendimit që është rekomanduar nga IPK? Kush po ndikon për degradimin e Policisë së Kosovës kështu?! Logjika e Shtetit Policor është vendosur në krye. Gabim dhe e patolerueshme! E qartë që drejtësia duhet të jep fjalën finale. Për këtë lutemi të gjithë. Por, një i ri (edhe nëse ka qenë i dehur) ka ndrruar jetë i prangosur nën trupat e disa policëve! Pra, ka ndrruar jetë në duart e shtetit dhe pamjet janë të tmerrshme, tronditëse dhe irrituese!

Kosova edhe më tutje vuan nga rasti i pazbardhur përfundimisht i të riut Dehari rreth 10 vjet më parë. Atëherë e për vite me radhë ka pasur protesta! Edhe pa pamje direkte, ky rast ishte cilësuar në publik si dhunë/vrasje e shtetit ndaj qytetarit. Drejtësia ka mbetur ende në proces!

Po tash?

Kur të gjithë po i shohim pamjet dhe po i dëgjojmë britmat e të riut Agon Zejnullahu, shteti as nuk i ka arrestuar ende policët!!! Ngushëllime familjes dhe qytetarëve të Kosovës. Kriminaliteti me logjikën e Shtetit Policor nuk guxon të pranohet, assesi!