Vazhdon sot procesi gjyqësor ndaj Gucatit dhe Haradinajt

Do të vazhdojë edhe sot procesi gjyqësor ndaj krerëve të OVL-së së UÇK-së Hysni Gucati e Nasim Haradinaj në Gjykatën Speciale në Hagë.

Edhe sot pritet të vazhdojë dëshmia e Zenka Pumper e cila është koordinatore e hetimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në seancën e djeshme Prokuroria e nxjerri dëshmitaren e parë në këtë proces gjyqësor. Zenka Pumper tregoi për përmbajtjen e dosjeve që u morën në organizatën që drejtohej nga Gucati dhe Haradinaj.

Pumper tregoi për numrin e dosjeve dhe të bastisjeve që kryen në selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Ajo tha se në pakon 1 pjesa më e madhe e dokumenteve ishin kërkesa për ndihmë në hetime nga prokurori serb i zyrës për krime lufte. Paketa dy, sipas Pumper-it, përbëhej nga dy kategori, me përjashtim të pak dokumenteve, në përgjithësi ishin vendime gjykata në çështje të ndryshme gjyqësore.

Mbrojtja e Nasim Haradinajt ka shprehur shqetësime lidhur me deklarimet e dëshmitares duke thënë se Pumper po dëshmon për çështje jashtë njohurive të saj.

Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.