Çmimet e produkteve ushqimore si dhe mallrave të tjera po vazhdojnë të rriten. Teksa qytetarët ankohen se po u rëndohet gjendja ekonomike, bizneset ngritjen e çmimeve ia atribuojnë shtrenjtimit të rrymës.
Njohësit e fushës thonë se kostoja e jetesës do të vazhdojë të rritet edhe muajt në vijim.
Njoftime për ngritje të çmimeve janë hasur së fundmi në disa biznese në vend.
Ngritja e çmimit të energjisë elektrike, vlerësohet se i ka paraprirë nisjes së një vale të re të ngritjes së çmimeve në Kosovë. Çmimi i bukës ka nisur të rritet, ai i qumështit është paralajmëruar të rritet ditëve në vijim, teksa edhe çmimi i perimeve, mishit, kafesë e produkteve të tjera kanë shënuar ngritje.
“Tash po e cekim vetëm rrymën. Vaji para dy vitesh ka qenë 89 centë, tash është 1 euro e 90 centë,” thotë një qytetar.
“Një numër i madh i qytetarëve jetojnë me ndihma sociale. Qysh do ta paguajnë ata rrymën? Nuk kanë mundësi ta paguajnë. Unë e kam pensionin pak më të mirë, por po kam probleme.”
“Vetëm buka mos të shtrenjtohet dhe artikujt elementarë si qumështi, vaji, vajza dhe sheqeri.”
“Nuk bën të rriten çmimet. Pensionet nuk i kanë rritur, rrogat thuajse jo.”
Bizneset paralajmërojnë ngritje edhe më tej, dhe këtë ia atribuojnë shtrenjtimit të energjisë elektrike.
“Normal që ndikimi do të jetë shumë i keq. Do të shqyrtohet edhe rritja e çmimit të produkteve finale dhe si rezultat do të kemi produkte vendore më të shtrenjta se deri më tani. Apeloj që institucionet të jenë të vëmendshme, sepse kjo është një aventurë që ka një përfundim shumë të keq,” tha Burim Piraj, biznesmen, raporton rtk.
“Çmimi i energjisë elektrike ndikon drejtpërdrejt në koston operative dhe kjo padyshim që do të sjellë edhe shtrenjtimin e produkteve dhe qytetari i Kosovës do të ngarkohet dy herë. Një herë do të ngarkohet si ekonomi familjare me 15 përqind, kurse herën e dytë do të ngarkohet përmes produkteve që do të shiten në Kosovë më shtrenjtë se deri më sot,” tha Lulzim Rafuna, drejtor i Odës Ekonomike të Kosovës.
Ngritje gjatë këtij viti kanë shënuar edhe çmimet e djathit, vezëve, çajit, ujit, shërbimeve hoteliere, atyre ambulatore, si dhe mallrave dhe shërbimeve për mirëmbajtjen e ekonomive shtëpiake.
Çmimi i qumështit, vezëve dhe mjaltës ka shënuar ngritje për 4.7 për qind në tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 2.9 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Ndërsa, sipas ASK-së, në TM1 2025, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 0.6 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Në ASK thonë se prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale.