Rinumërimi i vendvotimeve po vazhdon edhe sot, teksa siç ka paralajmëruar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ky proces mund të zgjasë deri në 14 ditë.
Deri tash në webfaqen e KQZ’së janë procesuar rezultatet e rinumërimit për 21 vendvotime, pesë në Deçan dhe 13 në Gjakovë. Në Gjakovë ka mbetur veç edhe një vendvotim për tu përmbyllur procesi, teksa në Deçan është përmbyllur.
Edhe në Drenas ka përfunduar rinumërimi në dy vendvotimet, teksa në Gjilan një është rinumëruar dhe ka mbetur edhe një vendvotim.

Sipas rezultateve të deritashme, VV prin me 39.33%, pasuar nga AAK me 30.75%, PDK me 14.35% dhe LDK me 11.86%.
Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka deklaruar se brenda një dite planifikohet të rinumërohen mesatarisht 80 vendvotime.
“Në QNR numërimi do të bëhet në 20 tavolina numërimi dhe brenda një dite planifikohet të rinumërohen mesatarisht 80 kuti votimi. Numërimi i 914 vendvotimeve, që përbënë 36% të vendvotimeve, mund të zgjasë nga 12 deri në 14 ditë”, ka deklaruar Elezi.
Elezi ka sqaruar se rinumërimi nuk do të zhvillohet njëjtë, pasi vendimi i KQZ-së parasheh qasje të ndryshme në varësi të komunës.
“Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut)”, theksoi ai.
Vendimi për rinumërim është marrë pas identifikimit të mospërputhjeve gjatë verifikimit të votave të kandidatëve për deputetë në disa vendvotime.
“Ky vendim i KQZ-së vjen pas gjetjeve nga verifkimi i votave të kandidatëve për deputetë nga 33 vendvotime të ndryshme, ku rezulon se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime”, ka theksuar Elezi.
Vendimi i KQZ-së erdhi pas paraqitjes së një raporti nga verifikimi i votave të kandidatëve për 2% të vendvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 28 dhjetor 2025.
Sipas këtij raporti, më 10 janar 2026, Sekretariati i KQZ-së ka bërë shikimin e videoincizimeve të kamerave në vendosura në tavolinat e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit dhe është evidentuar se ka raste të mospërputhjeve të votave për kandidatë.
Pas këtyre evidentimeve, SKQZ ka bërë verifikimin e brendshëm të fletëvotimeve për kandidatë në 2% të vendvotimeve apo 52 vendvotime nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Deri në përfundim të ditës së hënë, 12 janar 2026, janë verifikuar 33 vendvotime, ku rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime.










