Vazhdon përfshirja e Prokurorisë së Hagës në politikë: Prokurorja pëlqen postime kundër Trumpit

Pas kryeprokurores së Gjykatës Speciale, një gjyqtareje dhe një prokuroreje tjetër, të cilët me pëlqime në rrjete sociale, u përfshinë në diskutimet politike, kjo dukuri po vazhdon me figurat e Dhomave të Specializuara të Hagës.

Së fundmi, Nacionale ka vërejtur disa pëlqime të cilat janë bërë në rrjetin social LinkedIn nga një prokurore e Prokurorisë së Specializuar në Hagë. Pëlqimet e kanë një të përbashkët: janë postime ku kritikohet e akuzohet rëndë presidenti i Amerikës, Donald Trump.

Këto aktivitete, pra pëlqimet, i ka bërë prokurorja Alexandra Insigna. E njëjta, bazuar në profilin e saj, e tregon se është zyrtare në Prokurorinë e Hagës. Madje, e njëjta është parë disa herë edhe nëpër seancat e Gjykatës Speciale.

Një postim të cilin e kishte pëlqyer ajo, ishte para dy muajsh. Aty, presidenti Trump kritikohet ashpër për takimin me Zelenskyn. Madje, në postimin që e pëlqen prokurorja, Trump indirekt akuzohet se po cenon paqen dhe vlerat universal.

“Nuk munda të flija sonte pasi pashë Trumpin dhe Vancein teksa qortonin, ngacmonin dhe kërcënonin në mënyrë agresive Zelenskyin për mbrojtjen e vendit të tij kundër një agresori. Zemra më u drodh nga frika se si do të bëhej bota jonë. Mund ta kuptoj që Shtetet e Bashkuara mund të mos duan më të mbrojnë vendet e tjera, por nuk mund t’i pranoj gënjeshtrat e tmerrshme dhe çmontimin e qëllimshëm të rendit global të bazuar në rregulla që Amerika udhëhoqi në ndërtimin e tij”, thuhet në postimin që e ka pëlqyer prokurorja Insigna.

Një tjetër postim të pëlqyer nga prokurorja, Donald Trump akuzohet rëndë lidhur me disa nisma për kujdesin shëndetësor seksual dhe riprodhues. Trump në atë postim, akuzohet për mizogjini.

Kurse, në një tjetër postim të cilin e ka pëlqyer prokurorja e njëjtë, Amerika kritikohet pasi Dhoma e Përfaqësuesve miratoi projektligjin për të vendosur sanksione ndaj zyrtarëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Të gjitha këto postime mund t’i shihni më poshtë me fotografi si dëshmi:

Kjo nuk është hera e parë që prokurorët, por edhe gjyqtarët e Speciales, përfshihen në diskutime politike.

Pak ditë më parë, Kryeprokurorja Kimberi West dhe prokurorja Silvia D’Ascoli kishin pëlqyer postime ku fyhej Donald Trump. Për këtë kishte reaguar ashpër edhe Richard Grenell, që kishte kërkuar të ndalen fondet për Specialen. Pas reagimeve të mëdha, prokuroret i kishin hequr pëlqimet e tyre.

Njëjtë, pëlqimin e kishte hekur edhe një gjyqtare e cila kishte bërë ‘like’ në disa postime ku përmendeshin raportet e mira të Francës me Serbinë.

Gjyqtarja e procedurës paraprake në rastin e Thaçit dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë, pak kohë më parë përfshihej në diskutimet politike që zhvilloheshin online. Ndodhte kjo para disa muajsh.

Në rrjetin social Linkedin ku gjyqtarët e prokurorët e Hagës janë tejet aktiv, ajo kishte pëlqyer një postim ku i përfshirë është edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gjyqtarja nga Franca, Mazhori Masëlo kishte pëlqyer postimin e emisarit të Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz.

Troccaz ishte takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai e quante Francën partnere të ngushtë të Serbisë në rrugën evropiane.

“I nderuar që u prita në Beograd nga Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, pak ditë pas vizitës së tij të suksesshme në Francë. Franca qëndron përkrah Serbisë në rrugën drejt Evropës”, shkruante ai në rrjetin social LinkedIn.

E në mesin e pëlqimeve në këtë postim, ishte edhe i gjyqtares e cila tash është në rastin e Thaçit për pengim të drejtësisë.

Ajo ka rolin e gjyqtares së procedurës paraprake.

Edhe në Kosovë, edhe në vendet e tjera, është e ndaluar që gjyqtarët të përfshihen në forma të ndryshme, në diskutimet politike.

Gjyqtarët e prokurorët në LinkedIn

Portali Demorkacia pak ditë më parë raportoi për afërsinë mes gjyqtarëve e prokurorëve të Speciales, nëpër rrjete sociale.

Zëvendësprokurori i Specializuar, Ward Ferdinandusse, përpos me rastin e krerëve të UÇK-së, po merret edhe me çështje të tjera.

Ai në një shkrim autorial ka treguar se përse ICC duhet të respektojë imunitetin e krerëve të shteteve të treta.

Shkrimin e tij, ai e ka publikuar në llogarinë e tij në LinkedIn. Madje, ai e ka etiketuar edhe gjyqtarin Guenael Mettraux, që është gjyqtar në rastin ndaj krerëve të UÇK-së dhe i cili është kritikuar më së shumti për pyetje orientuese për llogari të Prokurorisë.

Sipas zëvendësprokurorit Ëard Ferdinandusse, këtë shkrim ai e ka diskutuar me gjyqtarin Guenael Mettraux, gjë që tregon afërsinë personale mes tyre.